Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

IHMK: Nuk priten vërshime e përmbytje në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se nuk pritet që të ketë vërshime apo përmbytje lumore, duke demantuar lajmet e dhëna nga një media në Gjermani, se këtyre ditëve Kosova e rajoni do të përballen me shira të rrëmbyeshëm, e si pasojë edhe vërshime të mëdha.

Ndonëse zyrtarët e këtij Instituti, kanë këmbëngulur se në bazë të matjeve që bëjnë, nuk ka indikacione serioze meterologjike se vërshime të mëdha mund të ndodh ditëve në vijim.

Nga IHMK kanë thënë për KALLXO.com, se moti në Kosovë, pritet të jenë me shira porse pa intensitet të rrëmbyeshëm.

“Nga 7 tetor deri më 12 tetor 2021, në tërë territorin e vendit pritet të ketë reshje të shiut me intervale të ndryshuara, të cilat do të jenë të intensitetit të ulët deri mesatarisht të lartë por kryesisht të karakterit lokal”, njofton IHMK.

Sipas Institutit sasia më e lartë e reshjeve gjatë kësaj periudhe pritet të jetë në Pejë, Istog, Junik, Deçan dhe Gjakovë.

Të njëjtit thanë se në lumenjtë në Kosovë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike, nuk parashihet të ketë ngritje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit.

Besim Aliu zyrtar në IHMK, tha se reshjet e shiut do të vazhdojnë deri ditën e martë të javës së ardhshme.

“Të martën do të ketë ndërprerje të reshjeve dhe parashihen edhe intervale të shkurta me diell, por sërish nga dita e enjte parashihen reshje, por jo të intensitetit të madh”, tha Aliu.

Ai tha se pos shiut, në viset malore mund të pritet të bie edhe borë e lehtë.

Zyrtarët e IHMK-së thonë se mbi bazën e dhënave të zhvilluara nga modelet numerike dhe grafike për parashikimet dhe vlerësimin e gjendjes hidrologjike dhe meteorologjike për Republikën e Kosovës, nuk priten reshje masive të shiut e as vërshime.

Focus.de, një media gjermane, ka shkruar dje se Shqipëria Jugore dhe Greqia Veriore janë zona të cilat do të përballen me reshje më të dendura, si rrjedhojë edhe me përmbysje të mëdha, ndërsa vërshime do të ketë edhe në territorin e Kosovës.