IHMK: Kjo do të jetë java më e ftohtë deri tani

Sipas Institutit Hidrometeorolojik të Kosovës, kjo javë, (përveç ditës së sotme), vendi jonë do të ndikohet nga masat e thata të ajrit me origjinë nga pjesa veriore e kontinentit. Këto masa të ajrit do të kushtëzojnë mot të ftohtë dhe me temperatura tipike dimërore.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -11 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet-2 deri 1 gradë Celsius.

“Parashihet të jetë java më e ftohtë deri më tani e kësaj stine. Edhe sot pasdite parashihen erëra të fuqishme të cilat do t’i përfshijnë disa rajone, kryesisht veriun, verilindjen dhe perëndimin e vendit , por edhe pjesa qendrore gjithashtu do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s” – thuhet në njoftim.

Gjatë gjithë javës parashihet të ketë ngrica, prandaj këshillohen pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar.

“Gjithashtu apel edhe tregtarëve të cilët merren me importimin dhe shitjen e pemëve dhe perimeve që produktet e tyre t’i ruajnë në vende të përshtatshme, pasi që pothuaj e gjithë java do të jetë me ngrica, si pasojë e temperaturave të ulëta” – theksohet në njoftim.