Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, Foto: KALLXO.com

Idrizi (PDK): Është vullneti i qytetarëve, ia uroj fitoren LVV-së - VIDEO

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për Zgjedhjet e 9 shkurtit tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me vota me mbi 40% të tyre, derisa janë numëruar mbi 90% të vendvotimeve.

Këto rezultate tregojnë ndryshime në rezultatet e partive politike, që udhëheqin në nivel lokal.

Në Komunën e Vushtrrisë e cila udhëhiqet nga PDK-ja, sipas KQZ-së janë numëruar të gjitha votat dhe LVV del me rezultat 52.59%, e pasuar nga PDK-ja me 25.76%.

Kjo Komunë udhëhiqet nga Ferit Idrizi i PDK-së, i cili në një prononcim për KALLXO.com thotë se ky ka qenë vullneti i qytetarëve dhe ka ururar LVV-në për fitoren në Zgjedhje.

“Është vullnet i qytetarëve. Në 2021 i kanë pasë 61.5%, edhe në tetor i kam marrë unë. Duhet me u mësu një herë e përgjithmonë me e respektu vullnetin e qytetarëve, demokracinë. Qeshtu është kjo punë.” – ka deklaruar Idrizi.

Ai thotë se qytetarët duhet të vendosin se kush duhet ta formojë Qeverinë e ardhshme të vendit.

“Qytetarët po bëjnë ndamje. Ju e dini që në nivelin qendror edhe në 2021 i ka fitu mbi 50%, por kur ka ardhë puna në nivelin lokal ka fitu më së paku Komuna. Bile, edhe më pak se Aleanca. Është vullnet i qytetarëve, nuk kam bërë kurrfarë analize me të kallxu drejt. Është vullnet i qytetarëve dhe ia uroj fitoren partisë së parë Lëvizjes Vetëvendosje, që ka fitu edhe në Vushtrri, edhe në nivel vendi dhe kaq e ka puna. Qytetarët le të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, për Qeverinë që ka me i drejtu.” – shton ai.

Rezultatet preliminare në kohë reale mund t’i ndiqni në këtë: LINK.

Në bazë të të dhënave, në Zgjedhje kanë marrë pjesë 799 mijë e 954 votues.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.