Idetë e kryetarit të Fushë-Kosovës për zgjidhjen e problemit për mbeturinat inerte

Vrulli i ndërtimeve në Fushë-Kosovë nuk po i lë shumë vend hapësirave të gjelbra në qytet, por as në fshatra.

Hapësirat e gjelbra në disa fshatra po zëvendësohen me deponi të mbeturinave, pasi kjo komunë nuk ka deponi legale për mbeturina inorganike.

Në fshatin Vragoli të kësaj komune, në vendin që njihet si Ramnishta, mbeturinat inerte e kanë kthyer hapësirën e gjelbër në deponi ilegale të mbeturinave.

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, tha se në disa fshatra ka problem me mbeturinat inerte.

Sipas tij, për këto mbeturina do të duhej të bëhej zgjidhje në nivel Kosove.

“Në Miradi të Ulët, në Vragoli, Harilaq, Sllatinë e Madhe, Kuzmin, këto ndoshta kish me qenë një zgjidhje në nivel të Kosovës por me bo përnime jo për mahi dhe të gjitha mbeturinat inorganike të ngurta që nuk janë të rrezikshme të bëhet një projekt për ta pastruar krejt Kosovën edhe neve dhe për t’i vendos në mihjen sipërfaqësore në Bardh”, tha Berisha.

Berisha tregoi se në Fushë-Kosovë nuk ka deponi legale inorganike dhe ka propozuar që një për një deponi të tillë të shfrytëzohet hapësira e ish-mihjes në fshatin Bardh.

 

“Në ish mihjen e Bardhit është hapësirë e madhe mund të vendosen dhe të mbulohen pastaj sepse janë të ngurta dhe nuk paraqet ndonjë rrezik sikur këto që mund të lëshojnë erëra”, tha Berisha.

Berisha tregoi që ka biseduar me disa kryetarë rajonalë për këtë çështje por sipas tij ashtu siç po ndërrohen qeveritë po mbesin edhe punët.

Berisha ka folur edhe për rrjedhjen e kanalizimit të fshatrave në lumenj.

Në lumin Sitnica në Fushë-Kosovë shkarkohen edhe ujërat e zeza të Prishtinës. Deponia ilegale vazhdon të mbetet edhe në fshatin Kuzmin, ku më 7 shtator të këtij viti ekipi i KALLXO.com ka parë mbeturina të shumta. Ndërsa me 4 nëntor Komuna është kujdesur që ta pastrojë këtë zonë.

Berisha tha se edhe ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza është një projekt i Qeverisë dhe i Ministrisë së Mjedisit.

“Janë dy-tri variante tek ne, janë duke u hulumtuar dy lokacione ku do të vendoset që impianti i madh”, tha Berisha duke përfunduar se ky projekt është shumë i shtrenjtë, i komplikuar dhe sipas tij është në fazën e projektimit.