Ideohet ekspozita e parë virtuale e trashëgimisë familjare në Kosovë 

Në kuadër të përgatitjeve për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës janë duke përgatitur ekspozitën virtuale “Muzeu im”. 

Me këtë ekspozitë, Muzeu Kombëtar i Kosovës planifikon të shënojë 18 majin, Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.  

Muzeu Kombëtar, i cili që nga 13 marsi i këtij viti është mbyllur për shkak të COVID-19, pritet të rihapet pikërisht më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Përmes një komunikatë për media, MKRS njofton se për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, ku shumë muze në botë qëndrojnë të mbyllur, aktivitetet e planifikuara për ta shënuar këtë ditë ICOM do t’i sjellë në një formë të re në mënyrë digjitale.  

Nismës së ICOM-it planifikon t’ i bashkëngjitet edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës me ekspozitën “Muzeu im”. 

“Edhe këtë vit, në Kosovë do të bëhen organizime për ta shënuar këtë ditë me aktivitete e ngjarje kreative që do të sillen në mënyrë digjitale, e ku bën pjesë edhe ekspozita virtuale në fjalë. Ekspozita virtuale e cila do të organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për qëllim të sjellë muzeun më afër banorëve të Republikës së Kosovës, për ta ngritur vetëdijen rreth vlerave dhe ruajtjes së trashëgimisë dhe diversitetit kulturor”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. 

“Muzeu im” është një ekspozitë virtuale e organizuar për të ndihmuar bashkëpunimin në mes komunitetit dhe muzeut, dhe ofron një qasje të re gjithëpërfshirëse duke integruar në ekspozitë koleksione nga trashëgimia familjare e banoreve të Kosovës.  

Qëllimi, sipas MKRS-së, është që duke qëndruar në shtëpi të ndërtohet një ekspozitë virtuale me punime (vizatime, piktura, dizajnime), objekte (vegla pune, enë, orendi, punime të vjetra druri, metali, guri; veshje), fotografi të dërguara në format digjital. 

Dita Ndërkombëtare e Muzeve organizohet nga ICOM (International Council of Museums) që nga viti 1977 për çdo vit me 18 maj me një temë të veçantë.  

Për ta shënuar këtë ditë, më shumë se 44 mijë muze nga 138 vende të botës marrin pjesë duke zhvilluar aktivitete dhe ngjarje kreative që lidhen me temën e caktuar.  

Këto aktivitete kanë për objektiv ngritjen e vetëdijes te njerëzit që “muzetë janë mjet shkëmbimi kulturor, pasurimit të kulturës dhe zhvillimit të dyanshëm, bashkëpunimit dhe paqes mes njerëzve”. 

 Tema e caktuar për këtë vit nga ICOM “Muzetë për Barazi: Diversitet dhe Gjithëpërfshirje” do të përdoret nga muzetë e botës si pikë e besueshme për të festuar diversitetin kulturor në mes të komuniteteve.