Identifikohen mbetjet mortore të dy shqiptarëve të zhdukur, në Kizhevak të Serbisë
Janë identifikuar ADN-të e dy personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Mbetjet mortore, janë gjetur në Kizhevak të Serbisë, nga autoritetet kosovare, lokacion ky në të cilin edhe më tej po vazhdojnë gërmimet. Lajmin për KALLXO.com, e ka konfirmuar Kushtrim Gara zyrtar në Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit.
“Deri më tani ka dy identifikime. Për këto identifikime janë njoftuar familjet e personave të identifikuar”, ka thënë Gara për KALLXO.com.
Ai ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së procesit, e ka të domosdoshme që të ketë kujdes gjatë prezantimit të të dhënave, në lidhje me gjetjet mortore, andaj edhe nuk ka dashur të tregoj më shumë detaje për rastin.
Gara ka bërë të ditur se të dhëna më të hollësishme do të publikohen pas vlerësimit të tërë lokacionit.
“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit dhe respektit për familjet duhet të jemi të kujdesshëm në prezantimin e të dhënave dhe hollësitë tjera derisa të përfundoj në tërë vlerësimi i lokacionit. Kështu që, ju lus për mirëkuptim që të na lini hapësirë për t’ju njoftuar me kohë”, ka thënë Gara për KALLXO.com.