Identifikohen 32 fëmijë lëmoshë-kërkues, iniciohen 21 raste për keqpërdorim dhe braktisje

Policia e Kosovës njofton se ka hartuar dhe zbatuar planin operativ “‘Identifikimi i fëmijëve lëmosh-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit”, i cili është shtrirë në tërë territorin  e vendit nga data 20 deri 24 mars të këtij viti.

Gjatë zbatimit të këtij plani operativ, Policia thotë se ka identifikuar 32 fëmijë lëmoshë- kërkues, prej tyre 25 kosovarë dhe shtatë shtetas të Shqipërisë.

Gjithashtu janë identifikuar 34 lëmoshë-kërkues të rritur, 17  prej tyre kosovarë dhe 17 shtetas të Shqipërisë.

Më tej, Policia njofton se është identifikuar një viktimë e trafikimit me qenie njerëzore dhe janë identifikuar 25 të dyshuar ndaj të cilëve janë iniciuar një rast “Trafikim me qenie njerëzore” dhe 21 raste “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

“Të gjithë fëmijët lëmoshë-kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre. Policia ka realizuar veprime për të identifikuar viktima të mundshme të trafikimit me njerëz nga ku ka rezultuar vetëm një rast”- bëhet e ditur në njoftim.

Fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë, sipas Policisë janë referuar në Qendrat për Punë Sociale përkatëse, ndërsa shtetasit e Shqipërisë janë trajtuar nga zyrtarë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj të PK-së.

Fëmijë të shumtë të cilët kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë janë viktima të trafikimit, abuzimit e madje edhe të keqpërdorimit.

Këtyre fëmijëve u shkelen të drejtat e tyre themelore. Trafikimi i fëmijës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve nënkupton rekrutimin, transportimin, transferimin, strehimin, marrjen e fëmijëve për qëllime shfrytëzimi.

Ndërsa shfrytëzimi sipas Ligjit për Mbrojtje të Fëmijëve përfshin edhe shfrytëzimin për lëmoshë, kryerje të shërbimeve apo punës së detyruar.