
Kandidati për deputet nga LDK, Nuredin Ibishi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Ibishi: LDK nuk e përkrah kthimin e policëve serbë me marrëveshje politike
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, në emisionin “Debat Përnime”, më 18.01.2025, ka folur për çështjen e largimit të policëve serbë në vitin 2022 nga Policia e Kosovës. Me këtë rast, ai ka paraqitur edhe propozimin e LDK-së lidhur me këtë rast.
LDK, sipas tij, nuk e përkrah ndonjë marrëveshje politike për kthimin e të dorëhequrve serbë në Policinë e Kosovës, mirëpo e sheh të udhës hapjen e konkurseve të reja për pranimin e policëve nga radhët e këtij komuniteti.
“Nuk jemi përkrahës të marrëveshjeve politike [për këtë gjë]. Ata mund të konkurrojnë edhe pse është e kufizuar mosha. Ata që i kanë deri në 29 vjet mund të aplikojnë si pjesëtarë të ri, nëse s’kanë qenë të implikuar, por jo me një marrëveshje politike”- tha Ibishi.
Sipas tij, “zyrtarët policorë të komunitetet serb e kanë lëshuar detyrën me urdhëresë të Beogradit”.
Mirëpo, përkundër kësaj, siç thotë ai, LDK është për një qasje më ndryshe.
Sipas Ibishit, sovraniteti nuk fitohet vetëm me forcë, por edhe me integrim.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen