Punimet në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com, 02.12.2024

'Ibër Lepenc' kërkon lirimin e pronave, të cilat i janë uzurpuar

Ndërmarrja ‘Ibër Lepenc’, më 04.12.2024, ka kërkuar nga Policia e Kosovës ndihmë për lirimin e pronave të paluajtshme që i janë uzurpuar, nga palët e treta në fshatin Varagë të Zubin Potokut – fshat ky ku ndodhi sulmi në kanalin e ujësjellësit, më 29.11.2024.

Sipas Policisë, në lidhje me këtë rast është intervistuar një person – teksa, rasti është në procedurë hetimore.

“Lidhur me rastin në cilësi të dëshmitarit është intervistuar një mashkull kosovar. Në konsultim me Prokurorin, e ka cilësuar rastin në drejtim të veprës së lartcekur dhe mbetet në procedurë hetimore.” – thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Rasti është identifikuar në fshatin “Varagë e Poshtme” të Zubin Potokut.

Ndryshe, një shpërthim i fuqishëm i shkaktuar nga një sulm terrorist e kishte dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit – duke lënë pa ujë disa qytete e duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike e ngrohje.

Shpërthimi, që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër- Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.