Ia ndalën rrymën sepse nuk e kishte paguar, gjilanasi dënohet për vjedhje të energjisë

Gjykata e Gjilanit e ka dënuar me burgim me kusht të pandehurin S.K., i akuzuari për vjedhje të shërbimeve të KEDS-it.

S.K. u akuzua dhe dënua për lidhje të të drejtpërdrejtë të rrymës në rrjetin rrjet elektrik jashtë njehsorit.

Në këtë mënyrë i akuzuari arriti që të mos i regjistrohen shpenzimet e rrymës dhe në të njëjtën kohë shkaktoi dëm në vlerë 63.2 euro.

Prokuroria në dosjen e saj pretendon se i akuzuari ka vepruar në këtë mënyrë sepse iu kishte ndërprerë energjia elektrike nga KEDS-i.

Sipas akuzës, ndërprerja e rrymës kishte ardhur për shkak se S.K. ka pasur borxh të papaguar.

Në aktgjykimin e shpallur në qershor, Gjykata në matjen e dënimit i shqyrtoj rrethanat lehtësuese dhe rënduese ndaj të pandehurit.

Si rrethana lehtësuese Gjykata mori faktet se i akuzuari  kishte pranuar fajësinë për veprën e kryer, ishte penduar për atë, ka premtuar se nuk do të kryejë ndonjë vepër tjetër penale si dhe ka kërkuar falje për këto veprime duke shtuar se i ka bërë për shkak se kishte gjendje të rëndë ekonomike.

Ndërsa rrethanë rënduese Gjykata mori faktin se i akuzuari duke e ditur që vjedhja e shërbimeve është e ndaluar me ligj, me dijeni e ka kryer këtë vepër.

Në këtë rast S.K. nga Gjykata u dënua me burgim për 120 ditë me kusht që të mos kryejë vepra penale të tjera brenda një viti, si dhe e obligoi që t’ia kompensojë KEDS-it dëmin e shkaktuar në shumën 63.2 euro në afat prej 15 ditëve nga data kur vendimi merr formë të prerë.