Ia gjejnë armën në 5 të mëngjesit në veturën e tij Lamborghini, arrestohet i dyshuari

Zyrtarët policor të Kosovës më orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 05:00, në hyrje të Prishtinës kanë ndaluar një veturë Lamborghini Urus.

Gjatë një kontrolli të detajuar të veturës në fjalë, e cila është thënë se është me targa të Kosovës, policët arritën të gjejnë dhe sekuestrojnë një armë.

“Sot rreth orës 05:00, në hyrje të kryeqytetit , policia ka ndaluar veturën Lamborghini Urus, me targa Kosove dhe pas një kontrolli të detajuar ka arritur të gjejë dhe të sekuestroj një revole të tipit C.Z, e kalibrit 7.65 milimetra, tetë copë fishek të kalibrit 7.65 milimetra si dhe një karikator” – ka thënë Policia.

Tutje në njoftim është thënë se i dyshuari M. D., 41-vjeçar, është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës.

Policia ka thënë se në konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti është proceduar më tej.