I vrari në Prizren që sulmoi Policinë kishte me vete dy granata dore

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për vrasjen në Prizren që ka ndodhur sonte.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari që ka mbetur i vrarë kishte me vete dy granate dore dhe një postoletë.

“Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari me inicialet B.Sh. dhe me pseudonimin ‘Qorri’, po kërkohej nga Policia për tentim vrasje.

Tashmë viktima, në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të gjuajë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen të dyshuarit.

“Nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore.Nga mjekët kompetent është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marrura ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.