
I shkoi në vendin e punës në QKUK duke ia kufizuar lëvizjen, gruaja raporton burrin në Polici
Në orët e para të mëngjesit të ditës së premte, më 14.02.2025, një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi që bashkëshorti i saj i ka shkuar në vendin e punës brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe i njëjti i kishte kufizuar lëvizjen – duke e bërë viktimën të ndjehet e frikësuar.
“Rreth orës 06:30, një grua ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi që është ndjerë e frikësuar nga bashkëshorti i saj, i cili i ka shkuar në vendin e punës dhe i ka kufizuar lëvizjen.” – ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
Borovci tha se Policia ka arritur të neutralizojë veprimet e të dyshuarit, ndërsa i njëjti është shoqëruar në Stacion Policor.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga QKUK.
Ata thanë se incidenti ka ndodhur brenda hapësirave të Klinikave, ndërsa pas masave të ndërmarra rasti nuk paraqet rrezik.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se në orët e hershme të mëngjesit është njoftuar për një incident, brenda hapësirave të Klinikave. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente nga institucioni. Është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Pas masave të ndërmarra, rasti është izoluar dhe nuk paraqet rrezik.” – ka thënë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.