Foto: Facebook/ Albin Kurti

I sapoaderuari në VV mbetet jashtë listës për deputetë

I aderuar para tre muajsh në Vetëvendosje, Xhavit Drenori nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga kjo parti për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Më 2 qershor, kreu i VV-së, Albin Kurti, e kishte prezantuar Drenorin si anëtarin më të ri të VV-së.

Mospërfshirjen në listën e kandidatëve e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Drenori.

“Jo nuk do të jem”, ka thënë shkurt ai kur u pyet për përfshirjen e tij në listën për deputetë.     

Në zgjedhjet e vitit 2017, Drenori ka qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të VV-së përmes iniciativës qytetare lokale të Drenasit por nuk kishte mundur të fitojë vota të mjaftueshme për ulëse në Kuvend.