Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com
I refuzohet ankesa kandidatit të PDK-së për asamblist në Lipjan, nuk e plotësoi si duhet formularin
Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për asamblist nga radhët e PDK-së në Lipjan, R.R., që kishte paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që fillimisht ia kishe refuzuar ankesën në lidhje me rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor 2021.
Kandidati i PDK-së, ishte ankuar më pas në Supreme duke kërkuar që të rinumërohen fletëvotimet në të gjitha vendvotimet nëpër disa qendra të votimeve, me arsyetimin e tij se ka pasur manipulime dhe vjedhje votash.
PZAP-ja kishte refuzuar ankesën e kandidatit pasi ka konstatuar e apeli i tij është i parregullt, ngase parashtruesi i apelit nuk e ka nënshkruar formularin e ankesës së tij i cili është kusht për rregullsinë e tij.
Edhe Gjykata Supreme e ka pranuar si të ligjshëm vendimin e PZAP-, duke treguar tutje se kandidati për asamblist, në pjesën e fundit të formularit ku duhet të shënohet emri, mbiemri, nënshkrimi, dhe data e ushtrimit të ankesës nuk e ka plotësuar fare.
“Gjykata Supreme e Kosovës duke u nisur nga një gjendje e tillë e çështjes e pranon si të ligjshëm qëndrimin juridik të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si në vendimin e tij, sepse pa dyshim vërtetohet se ushtruesi i ankesës së paraqitur në PZAP, lidhur me pakënaqësinë dhe dyshimet e tij për manipulime dhe vjedhje votash, në pjesën e fundit të formularit ku duhet të shënohet emri, mbiemri, nënshkrimi, dhe data e ushtrimit të ankesës nuk e ka plotësuar fare”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Zgjedhjet lokale në Lipjan në rundin e parë i ka fituar kandidati i LDK-së për kryetar, Imri Ahmeti. PDK-ja në Kuvendin Komunal të Lipjanit do të përfaqësohet me 7 asamblistë.
Këta janë asamblistët e Lipjanit (DOKUMENT)