I plagosuri mbrëmë në Deçan në gjendje stabile shëndetësore

Një nxënës ka mbetur i plagosur në sulmin me armë ndaj një autobusi në Gllogjan të Deçanit, ndërsa tre të tjerë kanë vdekur.

Personi i plagosur është një nxënës 17 vjeçar, që po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Sipas zëdhënësit të Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, gjendja e të plagosurit është stabile.

“Është operuar mbrëmë, i është larguar plumbi. Gjendjen postoperative e ka të mirë kurse është duke marrë trajtimin e duhur nga stafi shëndetësorë”, ka deklaruar Sahiti për KALLXO.com

Mbrëmë kanë mbetur të vdekur tre persona pas sulmit me kallashnikov që i është bërë një autobusi që po bartte nxënës.

Të vdekur kanë mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Sipas të dhënave zyrtare ende nuk dihen motivet që kanë çuar në kryerjen e këtij akti.

Po ashtu, sipas njoftimeve të fundit të Policisë së Kosovës ende nuk është arrestuar askush ndonëse janë kryer disa bastisje që në orët e para të mëngjesit.

Në nderim të tre personave që u vranë mbrëmë në Gllogjan të Deçanit sot në ora 16:00 do të ndizen qirinj në qendër të këtij qyteti.