Foto: Ilustrim
I paraburgosuri iku për shkak se dera e qelisë nuk ishte e mbyllur, u kap një muaj më vonë
Një i paraburgosur në Prizren kishte arritur të ikte nga qelia në vitin 2019 pasi dera e qelisë së tij nuk kishte qenë e mbyllur me dry.
SH.K kishte qenë i ndaluar për 48 orë në qelinë numër 2 për shkak të veprës penale – vjedhje e rëndë. Derisa gjendej aty, kishte gjetur derën të pambyllur me dry dhe ishte larguar.
“Gjykata Themelore në Prizren i kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për shkak të veprës penale të vjedhjes së rëndë, në çështjen penale me numër Ppr.nr.350/19, me ç’ rast i njëjti ishte vendosur për 48 h në qelinë nr.2, pranë Qendrës së Ndalimit në stacionin policor “ALFA”, ku shfrytëzon momentin duke e gjetur derën e qelisë të pambyllur me dry, e shtynë derën del në korridor dhe duke parë se nuk ishte askush, arrin që të largohet…”, sqarohet në një vendim të publikuar në faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sipas vendimit arratisja kishte ndodhur më 30 gusht 2019, nga Qendra e Ndalimit Policor në Prizren, në stacionin policor “ALFA”.
I njëjti sipas gjykatës ka arritur të qëndrojë në arrati deri me datë 27 shtator 2019, kur edhe është arrestuar nga Sektori i Hetimeve Rajonale të Policisë – Njësiti i Reagimit të Shpejtë në Prizren.
Ndaj të akuzuarit, për veprën penale arratisja e personit të privuar nga liria, Gjykata e Prizrenit i ka shqiptuar dënim me kusht prej 6 muajve. Për dënimin është thënë se nuk do të ekzekutohej në qoftë se i akuzuari brenda një viti nuk do të kryente ndonjë vepër tjetër.