Labinot Haxhiu, PSD - Foto: KALLXO.com

“I padijshëm” e “mashtrues” e quan asamblisti i PSD-së kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimajn

Asamblisti nga Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) në Kamenicë, Labinot Haxhiu, në debatin ‘Jeta në Komunë’ e ka quajtur “të paaftë”, “të padijshëm” e “mashtrues” kryetarin aktual të Komunës, Kadri Rahimajn.

Asamblisti Haxhiu e ka akuzuar kryetarin Rahimaj se e ka reduktuar projektin e shkollës “Fan Noli” për shumë metra.

Haxhiu ia ka përmendur Rahimajt edhe ndërtimin e sheshit të Kamenicës e projektin turistik “Lugu i Verdhë”.

“Paaftësia jote kryetar është së pari te sheshi, qysh e ke gjetë, qashtu don me lanë. E dyta është [shkolla] “Fan Noli”. Krejt këto menaxhimet e këtyre kontratave keni kallxu që jeni të paaftë m’i bo, e treta është “Lugu i Verdhë”, i cili Komunës së Kamenicës i ka kushtu qindra mijëra euro. Fillimisht, ka pasë me pagu Komuna e Kamenicës veç 100 mijë euro. Në vitin 2022, ju e keni ditë saktë që s’mund e bëni. Jemi në vitin 2024, në fund 2024, nuk jeni as afër” – ka thënë Haxhiu.

Rahimaj i është kundërpërgjigjur Haxhiut duke thënë se shkolla “Fan Noli” është mbyllur sipas një vendimi të Inspektoratit të Arsimit, në vitin 2019, kur ai nuk ishte në pushtet.

“Deri në atë kohë, nuk ka pasë asnjë tentativë për ndërtim të kësaj shkolle, përveç një projekti jashtë standardeve edhe jashtë udhëzimeve administrative. Më pas jemi detyru, një projekt i cili nëse nuk gaboj ka kushtu mbi 40,000 euro veç për hartim e asnjë cent për ndërtim. Ndërsa, ne kemi hartu projekt komplet të ri, jemi detyru” – ka deklaruar Rahimaj.

Rahimaj e ka konfirmuar se në dhjetor të vitit 2023 punimet në shkollën “Fan Noli” janë ndalur, pasi tha se është ndërprerë kontrata e këtij projekti për shkak se operatori ekonomik nuk i ka zhvilluar punimet.

Ai tha se kanë kërkuar vazhdimisht që të ndërpritet kontrata me operatorin ekonomik të angazhuar për ndërtimin e shkollës “Fan Noli”. Rahimaj nuk dha një datë se kur përfundon ndërtimi i shkollës.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që të shkëputet kjo kontratë dhe kemi dëshmi, kemi e-mail-e që kemi dorëzu në Ministri [të Arsimit] e në Zyrën e Prokurimit të MASHTI. Është shkëputur në gusht të këtij viti dhe në bazë të asaj që na kanë dërguar e-mail në javën e kaluar, është duke u përgatitur që të vazhdohet faza e re për tenderimin dhe ndërtimin e shkollës” – ka shtuar Rahimaj.

Sa i përket sheshit të Kamenicës, Rahimaj tha se është bërë punë në vlerë mbi 500,000 euro gjatë mandatit të tij.

“Po, sheshi kur kemi ardhë ka qenë 10% i përfunduar. Nëse s’gaboj, 140,000 euro pagesa të ekzekutuara, ndërsa ne kemi deri tash pagesa të ekzekutume mbi 551,000 euro. Pra, ky është progresi që na kemi bo në bulevard, ndërsa këta kanë pauzu me muaj të tanë deri në fillim të punëve që kanë konsumu edhe shkelje të kontratës” – tha Rahimaj.

Rahimaj përmendi po ashtu se operatori ekonomik i parë i kontraktuar për ndërtimin e sheshit në Kamenicë është tërhequr për shkak të krizës e inflacionit dhe mungesës së aftësisë së tij për ta përmbushur kontratën e projektit. Me këtë rast, Rahimaj tha se kanë lidhur një kontratë të dytë.

“Ne kemi lidhur një kontratë të dytë, i njëjti operator nuk ka fillu punën, e kemi shkëputur. Kontrata e tretë, e cila është shpallur, është shpallur fituesi. Kjo landë është në Organin Shqyrtues të Prokurimit” – ka thënë ai.

Për Rahimajn, “Lugu i Verdhë” është projekti më kapital në zhvillimin e turizmit dhe agroturizimit në Kamenicë, e për të cilin shpjegoi se faza e parë e këtij projekti ka qenë e mbështetur nga Ministria e Administratës të Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim me Komunën e Artanës (Novobërdës).

Sipas Rahimajt, edhe në këtë projekt janë detyruar ta shkëpusin kontratën me operatorin ekonomik, pasi e kanë gjetur duke eksploatuar rërë e zhavor në hapësirë publike.

“Operatori i parë e ka hapë trasenë dhe një pjesë e trasesë është asfaltu, është bërë edhe amfiteatri. Ndërsa, ne e kemi gjetur me disa lëshime në cilësi të projekteve. Jemi detyru me shkëputë, bile jemi detyru me shkëputë edhe për një arsye tjetër, sepse e kemi zënë duke eksploatu rërë e zhavor në hapësirën publike, për të cilën është gjobitë, iu kanë konfisku edhe pajisjet, mandej ne duhet me vepru në këtë drejtim” – ka treguar Rahimaj.

Tutje, asamblisti Haxhiu replikoi duke thënë se Rahimaj tha një të pavërtetë te projekti “Lugu i Verdhë” dhe e ka akuzuar se e ka kërcënuar publikisht një banor të Busavatës në lidhje me këtë projekt.

“Publikisht është që ti e ke kërcënu banorin në Busavatë që: “O lësho pronën për me hy, o mos hyn!”. Unë nuk besoj që ka naj kompani private që çohet hyn në një rrugë private duke dashtë me shtru rrugë për projektin shtetëror, nuk besoj që ka. Këta i kanë thanë atij tipit që e ka fitu tenderin: “Hin qeknej çele rrugën!” se e kanë pa që kostot që i kanë planifiku po duhet me bo shpronësime e paraprakisht s’i kanë planifiku, kanë thanë hin kështu si çaush e tani ka dalë e ka kërcënu atë banorin e Busavatës” – është shprehur Haxhiu.

Sipas Haxhiut, banori i Busavatës që pretendon se e ka kërcënuar Rahimaj, e ka paraqitur rastin në Polici.

Ndonëse Rahimaj e konsideroi të pavërtetë pretendimin e Haxhiut se e ka kërcënuar banorin në Busavatë për projektin “Lugu i verdhë”, ai tregoi se ka dhënë deklaratë në Polici.

“S’është absolutisht e vërtetë… Unë nuk kam asnjë landë, asnjëherë Policia, jo në fakt, nëse s’gabohem, po kena dhanë deklaratë në Polici, po është mbyllë hetimi se nuk është kërcënu askush për këtë proces” – ka thënë Rahimaj.