I ofron policit ryshfet - Foto: Facebook

I ofroi ryshfet policit për t'ia lejuar hyrjen në Kosovë personit që e kishte të ndaluar

Një shtetas i Shqipërisë teksa po hynte në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë i kishte futur 50 euro në dokumente që ia prezantoi Policisë Kufitare.

Sipas komunikatës së Policisë, zyrtari policor kërkon të dijë pse janë këto të holla në dokumente dhe i dyshuari kërkon të mos i regjistrohet në hyrje prindi i tij D.T., kurse paratë janë ‘për nga një kafe’.

Gjatë kontrollit në sistem, policia vëren se D.T. kishte ndalesë hyrjeje për pesë vite në Republikën e Kosovës.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor PKK Vërmicë, është njoftuar prokurori kujdestar dhe në konsultim me të është iniciuar rasti ‘dhënia e ryshfetit’.

Rasti është proceduar në procedurë të rregullt, kurse pasaporta dhe kartëmonedha prej 50 euro, janë konfiskuar.

I dyshuari është urdhëruar që më 21.12.2020, të paraqitet në Prokurorinë e Prizrenit.