I ofroi policit të Kosovës ryshfet 50 euro, arrestohet shtetasi serb në Merdarë

Policia e Kosovës e ka arrestuar një shtetas të Serbisë nën dyshimin për dhënie ryshfeti.

Sipas Policisë, në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë gjatë procedurave të kontrollimit të dokumentacionit, shtetasi i Serbisë N.V., 28-vjeçar, i ka ofruar 50 euro zyrtarit policor për të kaluar kufirin me dokumentacion që nuk plotëson kriteret.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 12:00.

“Lidhur me rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nga hetuesit policorë i dyshuari është intervistuar, si provë materiale është sekuestruar kartëmonedha prej 50 eurove dhe është iniciuar rasti nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘dhënie ryshfeti;”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar. Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor 48-orësh.