Ilustrim

I nxehti rekord i janarit sfidon shkencëtarët e klimës

Muaji i kaluar ishte janari më i nxehtë i botës, prejse regjistrohen të dhëna, duke ngritur edhe më shumë dilema për shpejtësinë e ndryshimit klimatik – kanë thënë shkencëtarët – raporton të enjten, më 06.02.2025, televizioni britanik BBC.

Janari i 2025-tës pritej të ishte më i freskët se janari i vitit 2024, për shkak të ndryshimeve të pritura natyrore meteorologjike në Paqësor, të njohura si El Ninjo.

Por, në vend të kësaj, muaji i kaluar ka thyer rekordin e janarit të vitit të kaluar për rreth 0.1 shkallë Celsius – kanë treguar të dhënat e Shërbimit Meteorologjik Europian të njohur si “Koperniku”.

Ngrohja botërore po shkaktohet prej emetimeve të gazave, që po e ngrohin planetin si pasojë e aktiviteteve njerëzore, kryesisht prej djegies së fosileve, por shkencëtarët thonë se nuk mund të shpjegojnë plotësisht se pse muaji i kaluar ishte veçanërisht i ngrohtë.

Kjo është vazhdimësi e një serie të të dhënave të temperaturave në ngritje prej mesit të vitit 2023, me ngritje mesatare prej mbi 0.2 shkallë Celsius – krahasuar me pritjet shkencore.

“Arsyeja themelore pse po kemi thyerje të rekordeve dhe që po kemi këtë trend të ngrohjes qe një dekadë është fakti se kemi rritje të sasisë së gazave serrë në atmosferë.” – ka deklaruar Gavin Schmidt, drejtor i Institutit të NASA-s për Studimin e Hapësirës “Goddard”.

“Specifikat se pse pikërisht më 2023 dhe më 2024 dhe (në fillim) të vitit 2025 ishte kaq nxehtë përfshijnë edhe elemente të tjera. Ne po mundohemi t’i shtjellojmë ato”.

Janari i sivjetmë ka përfunduar me 1.75 shkallë Celsius më të lartë se temperaturat e fundjanarit të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, para se qeniet njerëzore të nisnin të ngrohnin më theksueshëm klimën.

Në fillimvitin e kaluar temperaturat globale ishin shkaktuar nga fenomeni natyror meteorologjik El Ninjo, ku zakonisht ujërat e ngrohtë sipërfaqësorë përhapen në Paqësorin lindor tropikal. Ky fenomen shkakton ngrohje shtesë në atmosferë, duke ngritur temperaturat botërore.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com