Foto: PSD

'I ngutshëm por i kthyeshëm', pankarta me fotografinë e Kurtit që u vendos në Merdare nga PSD

“I ngutshëm, por i kthyeshëm” – ishte pankarta me fotografinë e kryeministrit Albin Kurti, që u vendos afër kufirit në Merdarë nga aktivistë të Partisë Socialdemokratike.

Ky aksion thuhet se u bë në shenjë revolte për ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat serbe.

“Sot Kryeministrin Kurti, e qitëm në kufi në Merdare. Ky ishte mesazhi që ai i drejtonte Serbisë dhe maunave me mallëra serbe” – ka shkruar aktivisti i PSD-së, Frashër Krasniqi në Facebook

Ndërs  PSD thotë se kjo u bë për shkak se “Jemi udhëheqë nga një politikë pa princip, pa koherencë dhe të pandershme”.

“Kosova është e izoluar me sanksione krahas Bjellorusisë, Venezueles e Iranit, ndërkohë që po na përvidhet autonomia. Në krejt këto situata po rritet pensioni për 20 euro, që se mbulon as inflacionin e tri viteve të fundit”- thuhet në njoftimin e PSD-së

“Kur u vendosën masat për produktet serbe, u tha se ato ishin për arsye sigurie. Po çfarë ndodhi? Pa ndryshuar asgjë në terren, pa asnjë skaner të kërkuar si kriter, kamionët  filluan të qarkullojnë. Kjo nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare, kjo është frika e një politikani për të humbur pushtetin. Kur mallrat filluan të qarkullojnë, nuk ishte sepse u përmbushën kriteret e qeverisë, por sepse Kurti rrezikonte përjashtimin nga Procesi i Berlinit”- thuhet tutje në status.

07.10.2024 kryeministri Albin Kurti, njoftoi se është ndryshuar masa e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar”.