I ndërpritet masa e paraburgimit, policit që dyshohet se keqtrajtoi të riun

Gjykata e Apelit i ka ndërprerë masën e paraburgimit për t’ia zëvendësuar me arrest shtëpiak, zyrtarit policor që dyshohet se e ka keqtrajtuar një të ri.

Vendimin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Të pandehurit H. K. i është ndërprerë masa e paraburgimit të premten dhe e njëjta i është zëvendësuar më atë të arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 30 ditësh. I pandehuri nuk guxon të largohet nga lokacioni ku ai e ka vendbanimin ose vendqëndrimin pa lejen e gjykatës, në të kundërtën në çdo kohë mund t’i shqiptohet masa e paraburgimit. Gjykata konsideron se edhe më këtë masë mund të arrihet qëllimi për të cilin i është caktuar paraburgimi”, thuhet në përgjigjen e tij.

Më 30 janar, KALLXO.com ka raportuar se polici i Njësisë Speciale të Reagimit të Shpejtë H. K., ishte arrestuar sërish pasi u lirua fillimisht me urdhër të prokurorit për veprën penale keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Polici ishte arrestuar nën dyshimin se kishte keqtrajtuar një djalë të ri para tri viteve. Video-inçizimi i dalë nga një hetim tregonte veprimet dhe keqtrajtimin që polici i dyshuar i bënte djalit të ri i cili ishte dërguar në stacion pas një incidenti që kishte ndodhur në vitin 2018.

Arrestohet sërish polici që dyshohet se keqtrajtoi të riun – FOTO