I ndërpritet masa e ndalimit 48-orësh të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Vitia

Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar se i është ndërprerë masa e ndalimit prej 48 orëve të dyshuarit për dhunimin e  një të miture.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se më 4 nëntor është raportuar në stacionin policor në Viti për një të mitur të humbur, ku edhe është njoftuar prokurori kujdestar dhe në bashkëpunimin me Policinë kanë filluar veprimet hetimore.

E mitura më 5 nëntor kishte telefonuar familjarët e saj, duke u treguar se gjendet në qytetin e Vitisë, ku për shkak të moshës së mitur (12-vjeçe), e njëjta është dërguar dhe intervistuar në Qendrën për Punë Sociale dhe aty nuk kishte dhënë asnjë deklaratë se është keqtrajtuar seksualisht.

Por, sipas Prokurorisë,  po të njëjtën ditë rreth orës 14:00 në stacionin policor në Viti janë paraqitur përsëri prindërit e të miturës, me dyshimin se vajza e tyre ishte keqpërdorur seksualisht nga personi me inicialet B.B.

“Me qëllim të ndriçimit të kësaj ngjarje, me urdhër të prokurorit kujdestar, e mitura është dërguar në ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, personi me inicialet B.B. është ndaluar për 48 orë me dyshimin e veprës penale ‘’Dhunimi’’, mirëpo pas marrjes së raportit mjekësor tek e mitura nuk janë konstatuar dëmtime traumatike dhe patoligjike, pra sipas ekspertëve mjeko ligjor e dëmtuara nuk ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga personi në fjalë dhe as nga persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje Policia sqaron se pas pranimit të raportit gjinekologjik dhe ndërmarrjes së veprime tjera hetimore, Prokuroria e Gjilanit, ndaj të njëjtit e ka ndërprerë masën e ndalimit 48 orësh, pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

E mitura nga Vitia raportohet e zhdukur nga babai i saj

www.kallxo.com