I ndërpritet marrëdhënia e punës për shtatë punëtorë brenda një dite në ‘Trepçë’

Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se ka larguar nga puna shtatë punëtorë, sot më datë 20.08.2024.

“Trepça” ka publikuar vetëm inicialet e punëtorëve që janë larguar nga puna dhe pothuajse arsyetimi për secilin ishte se kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.

Përmes njoftimit të ndërmarrjes, nuk bëhen të ditura as pozitat në të cilat kanë qenë të punësuar këta persona.

Sipas tyre, komisioni disiplinor ka vërtetuar se njëri nga punëtorët që është larguar nga puna është me inicialet K.M.

Njësoj kanë vepruar edhe me punëtorin me inicialet A.P., pasi siç bëhet e ditur në njoftim, i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Largimi nga puna për shkelje të rëndë të detyrave të punës është ndërmarrë edhe ndaj punëtorit me inicialet B.M.

Ndërsa, dje më 19.08.2024, “Trepça” ka larguar nga puna punëtorin me inicialet M.Z..

Për të njëjtat arsye ka vepruar edhe ndaj punëtorit me inicialet B.M. dhe dy punëtorëve tjerë me inicialet A.B. dhe A.N..

KALLXO.com ka kontaktuar ndërmarrjen “Trepça” për t’i kuptuar emrat dhe mbiemrat e secilit punëtor të larguar nga puna si dhe pozitat e tyre në këtë ndërmarrje dhe se me kë do të zëvendësohen të njëjtit, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigje.

KALLXO.com raportoi të hënën, më 19.08.2024 se Drejtori i shërbimit teknik-gjeodezik, përgatitjes në minierë në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, Xhevdet Tahiri është larguar nga puna përkohësisht.

Ai thoshte se shkaktar u bë punësimi i vëllait të tij si shofer personal.

“Arsyeja është kjo… unë akuzohem për një vepër penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Mendoj që nuk është vepër penale por ka pasë shkelje procedurale në vitin 2019, është hap një konkurs për shofer timin personal. Në konkurs ka qenë një kandidat dhe ai ka qenë vëllai im. Unë kam ba vetëm kërkesë të bordi mbikëqyrës, një shofer personal. Është hap konkursi, konkursi ka qenë publik, transparent edhe të gjitha procedurat kanë kaluar në burime njerëzore dhe në zyrën ligjore”.

Ndërsa Zyrtarja Për Komunikim me Publikun në Trepçë, Donika Osmani- Mehmeti ka konfirmuar dje më 19.08.2024 se personi që është larguar përkohësisht nga puna është Xhevdet Tahiri dhe ka potencuar se vendimi është marrë pas pranimit të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Sipas ligjit të punës do të kompensohet (paga). Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes Trepça Sh.A. është i obliguar që brenda 6 muajsh të trajtojë rastin”- përfundoi Osmani- Mehmeti.

KALLXO.com kishte raportuar më 17.08.2024 se ndërmarrja “Trepça” ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës inxhinierit Ekrem Peci me pretendimin se ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Ndërsa më 02.08.2024 KALLXO.com ka raportuar edhe për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Bashkim Kurti.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim që të anulohet zgjedhja e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”. Këtë vendim e ka shqyrtuar bordi i ndërmarrjes “Trepça” në mbledhjen e mbajtur më 02.08.2024.

Ata kanë vendosur që ta lirojnë nga detyra Bashkim Kurtin dhe ta emërojnë Faton Ahmetin ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.

Gjykata e Mitrovicës më 23.07.2024 ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësit Burim Asllani duke e anuluar vendimin e datës 11.01.2024 të bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, përmes të cilit është zgjedhur Bashkim Kurti kryeshef i ndërmarrjes “Trepça”.