I ndalohet hyrja në Kosovë zyrtarit serb, Petar Petkoviq

Drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqit, nuk i është lejuar hyrja në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur nëpërmes një reagimi, zyra e tij në Serbi.

Në njoftim thuhet se në agjendë, ai kishte vizitën në dy kisha dhe te një familje e kthyer serbe.

“Petkoviq ka theksuar se vizita është paralajmëruar me kohë”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.

Ditë më parë, Serbia nuk ka lejuar vizitat e ministrave të Republikës së Kosovës në Luginën e Preshevës.

Se Petkoviqit nuk i është lejuar vizita në Kosovë, e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën në datën 15 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com