I mituri gjuan me AK-47, arrestohet personi që dorëzoi armën në Polici

Para dy ditësh Policia e Kosovës kishte pranuar një video-incizim në të cilin, ku shihen disa persona duke shtënë me armë.

Pas pranimit të kësaj video Policia arrin të identifikojë lokacionin, fshati Dobresh në Viti, ku dhe arreston pronarin e shtëpisë.

I arrestuari është intervistuar nga ana e Policisë, ku edhe ka pranuar se gjatë një ahengu familjar kanë shtënë me armë.

“Nga i dyshuari janë konfiskuar dy pistoleta me gaz dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme lidhur me këtë rast i dyshuari ka dorëzuar një AK-47 pa fishekë dhe ka deklaruar se një i mitur ka shtënë me të.

Për këtë ngjarje Policia ka njoftuar prokurorin dhe me vendim të tij i dyshuari i parë është dërguar në mbajtje ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt.

Tutje Policia ka thënë se rasti po vazhdon të hetohet.