Lush Krasniqi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

I mbijetuari i Masakrës së Mejës: Forcat serbe i ndanë nga familja të gjithë burrat mbi 15 vjeç

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Lush Krasniqi, i mbijetuar i masakrës së Mejës rrëfen në ‘’Kallxo Përnime’ përjetimet e asaj dite.

Data e 27 prillit, që ishte ditë e marte, të cilën Krasniqi e quan e “martja e zezë”, sipas tij ka qenë mjegull.

“Diku rreth orës 8:00 kemi filluar të dëgjojmë krisma dhe nuk ishin të zakonshme si herat tjera. Vinin nga shumë drejtime, nuk dinim se çfarë po ndodhte dhe nuk shihnim asgjë për shkak të pozitës që ishim”, thotë Krasniqi.

Ai kujton se diku rreth orës 12:00 këmbësoria serbe kishte në pozicionin ku ishin mbledhur familja e tij dhe disa familje të të afërmeve të tij.

“Ishin bashkëngjit diku 20 anëtarë të familjes, dhe me ne ishte një familje tjetër, familja Nikaj që ishin afër ishin rreth 60 anëtarë të familjes, kemi qenë diku rreth 100 banorë”, ka thënë Krasniqi në emisionin “KallxoPërnime”.

“Djalin Kastriotin e kam pas tre vjet e gjysmë dhe kur më ka pyet i kam thanë po shkojmë tek daja. Bashkëshortja djalin tjetër Ilirin e ka pas një djep ai ka qenë një vjet e gjysmë”, përshkuan ai.

Tutje ai thotë se forcat serbe i kanë bashkuar me të përndjekurit tjerë.

Sipas tij, kanë qenë njësia e policisë ushtarake. “Nuk kanë qenë të maskuar, kane pas antiplumb helmeta hekuri dhe nuk ka pas ushtarë shumë të rinjtë duket që kanë qenë ushtarë të pjekur, nuk kanë pas tanke, kamiona vetëm këmbësori”, ka thënë Krasniqi.

“Na kanë ndarë nga grupi i familjes, rreth 15 meshkuj, na kanë nda sipas rritjes fizike çdo anëtarë që ishte mbi 15 vjeç. Dhe ka dhanë urdhër familjarëve tjerë e fëmijëve që të hypnin në traktora. Njëri nga policët ka nxjerr laps dhe fletore dhe na i ka shënuar emrat e neve që na ka nda, neve meshkujve. Në rruga ku lidhet rruga me Rekën e Keqe na ndalin, aty kam vërejt një kalë të vrarë në fushë dhe diku deri në 10 njerëz të shtrirë për tokë me dorë pas koke. Mua me kishte ngelur baba që kishte mbetur në një fshat tjetër, dhe familjes Nikaj një pjesë e tyre ishte shpërngulur në Dardani në Gjakovë, që nuk kishin informacion për ta”, shtoi ai.