I mbijetuari i masakrës së Krushës së Vogël: Kam pritur dënim me burgim të përjetshëm për Darko Tasiqin e jo veç 11 vite burg

Në dhjetor të vitit 2020, Darko Tasiqit Gjykata e Apelit e Kosovës dënimin prej 22 vitesh burgim për krime të luftës në Krushë të Vogël ia ka përgjysmuar në 11 vjet.

Darko Tasiq me vendimin e Apelit do t’i mbajë 11 vite burgim pasi u gjet fajtor për krime të luftës kundër popullatës civile në Kosovë.

Bajram Zylfiu njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël tha se ka pritur dënim më të lartë për Tasiqin dhe jo përgjysmim të dënimit.

I ftuar në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Zylfiu kritikoi institucionet e drejtësisë sa i përket trajtimit të rasteve të krimeve të luftës.

“Kam pritë jo me 22 vite burg, por kam pritë që gjykata dhe prokuroria ta dënojnë atë me dënim të përjetshëm e jo me ardhë koha që 11 vite me iu zbrit. Këta tonët nuk kanë punu kurgjo për ne”, tha ai.

Zylfiu shtoi se është i gatshëm çdo herë për bashkëpunim.

“M’u lodhë kurrë nuk lodhna po me dal e vërteta në shesh. Nuk i intereson kërkujna më. Unë në çdo moment jam i gatshëm nuk dojnë me punu për Kosovë”, tha ai.