I lënduari nga fishekzjarret në Prizren dërgohet për trajtim në Turqi

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë kanë mundësuar që personi i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarrëve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizren më 31.12.2024, të dërgohet për trajtim me aeroplan special në Turqi.

BIK-u mё 06.01.2025, njoftoi se trajtimi i tij, do të realizohet në qendrën hulumtuese spitale për djegie të thella në Stamboll.

“Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, kanë siguruar trajtimin mjekësor dhe transportin emergjent me aeroplan special të Abdurrahman Memajt, i cili ditë më parë u lëndua rëndë nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren.

Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës falënderon Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Qeverinë turke për mundësinë e trajtimit mjekësor në Qendrën Hulumtuese Spitalore për diegie të thella në Stamboll të Turqisë, duke bërë apel kështu për kujdes edhe më të shtuar”- thuhet nё njoftim.

Mё 01.01.2025, 25-vjeçari i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarreve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizren ka qenë në gjendje kritike shëndetësore.

Ai ishte duke u trajtuar në Klinikën Intensive të QKUK-së.