I kërkuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit shihet bashkë me drejtuesit e Listës Serbe

Millan Radoiçiq ende është në kërkim nga autoritetet kosovare në lidhje me vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

I njëjti është në kërkim nga janari i vitit 2019, nën dyshimin se kishte marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Në disa fotografi të cilat i kanë publikuar mediat serbe, ku shihen drejtuesit e Listës Serbe deri sa vaksinohen kundër COVID-19 në Serbi, vërehet edhe i kërkuari Millan Radoiçiq.

I njëjti së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviqin, shefin e Listës Serbe, Goran Rakiqin, kandidatin për deputet në Kosovë Igor Simiqin dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut Milan Radojeviqin, gjatë ditës së premte ishin vaksinuar kundër COVID-19.

KosSev ka raportuar se Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se Lista Serbe bëri një vizitë në Qendrën Shëndetësore në Rashkë dje për të marrë një pasqyrë të ngjarjes së vaksinimit të Serbëve të Kosovës.Shefi i Listës Serbe, Goran Rakiq, nënpresidenti Milan Radoiqiq, Igor Simiq dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, së bashku me Petkoviqin, morën vaksinën kineze të koronavirusit.

Kushdo nga Kosova që dëshiron të vaksinohet mund ta bëjë atë në Rashkë, Bujanoc dhe Kurshumli, konfirmoi Petkoviq.

“Ndërsa Prishtina dëshiron t’i vërë vaksinat në zjarr dhe të ndjekë penalisht mjekët tanë sikur ata janë kriminelët më të mëdhenj, ne në Serbinë qendrore po përpiqemi të bëjmë gjithçka në mënyrë që çdo person që dëshiron të vaksinohet ta bëjë këtë. Ne vetëm mund ta mposhtim koronavirusin me vaksinën, dhe në atë rast, Serbia dhe e ardhmja do të fitojë”, tha Petkoviq.

Në njoftimin e kësaj zyreje, gjithashtu thuhet se shefi i Listës Serbe, Goran Rakiq ​​falenderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për sigurimin e vaksinës, duke vënë në dukje se të gjithë ata që duan të vaksinohen duhet të regjistrohen në Qendrën Shëndetësore.

Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq reagoi ndaj lajmit për vaksinimin e kreut të Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë dhe zyrtarëve të Listës Serbe.

“Pak nga pak, Zyra e Kosovës u largua nga Kosova për në Rashkë”, shkroi Trajkoviq në Tëitter.

Shefi i Zyrës së Kosovës, Petar Petkoviq më pas komentoi publikimin e Trajkoviq.

“Është e pabesueshme që, edhe pse jeni mjeke, nuk mund të duroni suksesin e Serbisë, e cili është në rrugë të mbarë me vaksinimin masiv. Cilët nga politikanët tuaj shqiptarë morën vaksinat? ”, shkroi Petkoviq, duke shtuar se Trajkoviq mund të vaksinohet nëse dëshiron në vendin ku jeton.

“Mos u shqetëso, nëse dëshiron, gjithmonë mund të vaksinohesh në Savski Venac, pasi jeton atje”, shtoi Petkoviq.

Vaksinimi i qytetarëve nga Kosova me sistemin e kujdesit shëndetësor serb po kryhet në qytete jashtë Kosovës – Rashkë, Kurshumli dhe Bujanoc.

Që nga 25 dhjetori i vitit të kaluar, Prokuroria e Mitrovicës po heton ardhjen e vaksinave kundër COVID-19 përmes rrugëv e ilegale në komunat serbe në veri të Mitrovicës.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim se deri ku kanë arritur me hetimin e njëjta prokurori ndërsa KALLXO.com raportoi vazhdimisht për këto vaksina.

Gjithashtu KALLXO.com kishte raportuar edhe se kundër këtij hetimi kishin qenë stafi mjekësor në veri i cili protestoi para spitalit në veri të Mitrovicës por edhe para prokurorisë.