FOTO: Ilustrim
I kërkuari për mashtrim ndalohet për 48 orë, tre të tjerë po intervistohen
Katër persona janë arrestuar gjatë ditës së sotme në një aksion policor.
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ndaj të arrestuarit – shtetasit të huaj, i cili po kërkohej ndërkombëtarisht, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë ndërsa tre të arrestuarit e tjerë janë duke u intervistuar.
“Me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, derisa tre (3) personat e tjerë janë duke u intervistuar në polici, dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje Prokuroria ka thënë edhe se tre personat e tjerë janë arrestuar për posedim droge.
“Lidhur me këtë rast janë përgjigjur edhe njësitet policore të anti-drogës në Prishtinë të cilët sipas autorizimeve të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë ndërmarrë veprime tjera të nevojshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë ditës së sotme, në orët e pasdites në një aksion policor të Policisë së Kosovës më saktësisht njësisë FAST Kosova, është arrestuar një i dyshuar për mashtrim, i cili po kërkohej ndërkombëtarisht.
Sipas njoftimit katër të dyshuarit janë arrestuar në të njëjtin lokacion.
Detaje nga Policia për arrestimet në Prishtinë: Shtetasi i huaj kërkohej për mashtrim