foto Kallxo.com

"I kemi ata prapa, po na ndjekin”- Dyshimet e Triumf Rizës, sipas dëshmitarëve, se po përcillej nga "Grupi Sekiraqa"

Gjykata e Prishtinës ka ardhur me konstatim se vrasja e policit Triumf Riza nga i dënuari Arben Berisha ka qenë e shtytur nga Enver Sekiraqa.

“Gjykata ka krijuar bindjen se ditën kritike është shtytur vrasja e T.R nga E.S ku kishte organizuar nga zyra e tij vrasjen e tani të ndjerit – duke shtytur kështu A.B që ta privoj nga jeta T.R për motive e tija të ulëta personale e hakmarrëse”- thotë arsyetimi i aktgjykimit 156-faqësh.

Kujtojmë që Sekiraqa për herë të tretë03.05.2024 është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, e cila e ka dënuar me 25 vjet dënim me burgim për shtytje në vrasjen e Rizës.

Sipas Gjykatës së Prishtinës, Enver Sekiraqa ditën kritike i kishte mbledhur personat të cilët funksiononin në kuadër të “Grupit Sekiraqa” dhe kishte nxitur Arben Berishën për ta kryer aktin.

“Pra gjykata ka krijuar besimin ne fragmente specifike tek dëshmitari D2 në faktet e pohuara dhe të ndërlidhura edhe nga dëshmitaret e tjerë dhe në këtë formë pasi që ka krijuar besueshmërinë, të njejtit i fali besimin edhe se te lartcekurit i kishte mbledhur E.S në zyre, sepse kjo kishte ndërlidhje siç u specfikua edhe me rrjedhën e ngjarjes por edhe me deklaratën e parë të A.B me ç’ rast gjykata ka vërtetuar faktin se E.S i kishte mbledhur të lartcekurit atë ditë dhe përfundimisht ka shtytur tani dorasin që të kryen veprën penale”- vazhdon tutje aktgjykimi.

Sipas Gjykatës së Prishtinës është specifikuar se pas lidhjes që kishte krijuar Riza me dëshmitaren A.I. ishin bërë të qarta motivet hakmarrëse të Sekiraqës ndaj pjesëtarit të Policisë së Kosovës (atëherë Shërbimi Policor i Kosovës).

“Është në interes të rrjedhës së ngjarjes të specifikojmë edhe njëherë faktin se pas lidhjes së T. me tani dëshmitaren A.I, motivet hakmarrëse të tani akuzuarit E.S ndaj të ndjerit ishin të qarta dhe sulmet, kërcënimet e përcjelljet nga E.S personalisht dhe nga grupi i tij tani më nuk kishin të ndalur, sepse dëshmitarët- njerëzit e afër të T rrëfejnë se intenziteti vetëm sa rritej dhe se rasti i S, ishte indikacion i qartë se vendimi për vrasjen e T. tani më vetëm se ishte marrë nga E.S” – thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Nga dëgjimi i një numri të konsideruar të dëshmitarëve Gjykata ka ardhur në përfundim se Triumf Riza ishte përcjellë disa herë nga grupi i Enver Sekiraqës, e madje ndaj Trimf Rizës rreth dy javë para ngjarjes kritike kishte pasur edhe një atentat, ku dëshmitarë të shumtë kishin konfirmuar se prapa atentatit qëndronte Sekiraqa.

Ky i fundit, sipas Gjykatës, kishte specifikuar se nuk ishte atentat dhe nuk kishte tentuar të rrokulliste veturën e Rizës e në anën tjetër kishte thënë që nuk qëndronte prapa rastit.

“Nga dëshmitarja A.I e që në periudhën kohore 2005-2007 ishte njëri nga personat më të afërm të T., vërtetohet fakti se sulmet, përcjelljet, kërcënimet e përndjekjet ndaj T. ishin të shpeshta. Nga deklarata e saj vërtetohet fakti që e ka potencuar thuajse çdo dëshmitar që është dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor e që rezulton me konstatimin se aso kohe ekzistonte i ashtuquajturi “grupi S”, në krye të së cilës ishte E.S”- pjesë e shkëputur nga dëshmia e dëshmitares A.I., që Gjykata i ka falur besimin.

Se kishte pasur raste konkrete kur Riza përcillej në vazhdimësi nga “Grupi Sekiraqa” në dëshminë e saj të dhënë për këtë rast e ka treguar dëshmitarja A. I.

“A.I…ajo kishte deklaruar se ka qenë në dijeni se T. ka pasur probleme me “Grupin S”, probleme me profesion me ta që ka qenë i ngacmuar nga ata, e njëjta ka theksuar se T. kishte ndjenjën se po përcillej dhe si rast specifik ishte kur T, ishte duke e dërguar tek shtëpia e gjyshes së saj, atë kohë quhej rruga *** dhe këtë e kishte kuptuar në një moment kur T, i kishte thënë: “mos u kthe prapa, mos provoko, i kemi ata prapa po na ndjekin” dhe ata që po i ndiqnin ishin nga “Grupi S.”- tregohet rasti konkret kur Riza kishte dyshime se ishte nën përcjelljen e “Grupit Sekiraqa”.

Rast tjetër i përcjelljes së Rizës nga “Grupi Sekiraqa”, sipas aktgjykimit, tregohet nga dëshmia e një dëshmitari tjetër, i cili tregon detaje se si Triumf Riza duke shkuar në fshat me nënën e tij dhe një person tjetër uu kishte bërë me dije se janë nën përcjelljen e grupit të apostrofuar pasi në të është edhe Enver Sekiraqa.

“Fakti se i njëjti ka pasur përcjellje të vazhdueshme vërtetohet nga cilido dëshmitar i cili e ka njohur T dhe ka pasur raporte të afërta me të. Nga kjo pjesë e deklaratës së dëshmitarit, ri-konfirmohet edhe njëherë fakti shumë i rëndësishëm që E.S ka pasur një grup njerëzish që kanë ndërmarr veprime nën urdhrat e tij”- thuhet në disa pjesë të aktgjykimit.

Gjykata e Prishtina nga provat e administruara në gjykim ka konkluduar përfundimisht se ekzistonte “Grupi Sekiraqa”.

“Nga secili dëshmitar deri tani që është elaboruar ishte vërtetuar një fakt thelbësor, që Rr.A (Rr) dhe I.A (L) ishin njerëzit më të afërm të E.S dhe ata njiheshin si “grupi S” dhe se prapa sulmeve e përcjelljeve ndaj T.R qëndronte E.S me të lartcekurit”- thuhet në aktgjykim.

Sipas aktgjykimit, ndonëse i dënuari për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, nuk e kishte pranuar asnjëherë që kishte lidhje me Sekiraqën në mënyrë direkte, dëshmia e shumë dëshmitarëve e kishte thënë të kundërtën.

“Nga deklarata e dëshmitarit F.Sh, vërtetohet fakti se A.B, rreth 1 vit para se të ndodhte vrasja e T, veç se ishte identifikuar si person i “grupit S”, ku i njëjti specifikon se ka qenë e pa mundur në atë kohë me kalu kah lokali S, e mos me e pa A, aty”- thotë aktgjykimi i Themelores.

Sipas një dëshmitari tjetër, i dënuari Arben Berisha kishte punuar në lokalin e Enver Sekiraqës. Sipas dëshmitarit, Berisha shpërndante kafe me veturën “Pick Up” në të cilën ishte si logo emri i kafenesë së Sekiraqës.

Se nuk ka pasur lidhje me dorasin për vrasjen e Rizës, e kishte mohuar vetë i akuzuari Enver Sekiraqa gjatë dhënies së mbrojtjes së tij. “Unë e kam cekur edhe më herët A.B nuk e kam njohur thuajse fare, ai ka qenë një gjeneratë shumë më e re”.

Gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili ka bërë vlerësimin e provave, tregon se Triumf Riza ishte përcjellë edhe në natën kritike, nga dëshmia e dëshmitarit V. duke bërë ndërlidhjen me provat e përgjimit të telefonave mes F.A. dhe I.A. që kontaktojnë mes vete për të specifikuar faktin se janë në përcjellje të Rizës.

“Në sms pjesë përbërëse të shkresave të lëndës, rezulton se F i kishte shkruar I si vijon: “Vetura e kojshive është në parkingun e G”. – elaborohet ndërlidhja e provave nga gjyqtari.

Gjykata ka konstatuar se personat të cilët kanë pasur lidhje me grupin e Sekiraqës me të ndodhë rasti, në fazën fillestare, kishin dhënë deklarata të tjera të cilat më vonë ndryshojnë të gjitha me arsyetimin se kanë  qenë të kërcënuar nga Policia me të vetmen arsye që të mundohen të shkëpusin lidhshmërinë e njerëzve të “Grupit Sekiraqa” përbrenda grupit.

“…pas ngritjes se aktakuzës dhe kur janë bërë të ditura pretendimet e prokurorisë, kanë ndryshuar deklarimet e tyre për të munduar të shkëpusin kështu lidhshmërinë e njerëzve të “grupit S” për brenda grupit, e rrjedhimisht të mundohen të specifikojnë se A.B nuk kishte lidhshmëri të drejtë për drejtë me E.S dhe njerëzit e tij më të afërt”- konstaton Gjykata.

Gjykata ka vërtetuar se konflikti i parë mes Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës kishte ndodhur në periudhën e vitit 2000-2001, kur Triumf Riza kishte filluar punën si zyrtar policor dhe faktin se po zbatonte ligjin dhe ndaj tani të akuzuarit Enver Sekiraqa.

Lidhshmëria e Rizës me dëshmitaren A.I. ishte një motiv i radhës për hakmarrje, ka konstatuar Gjykata në aktgjykimin 156-faqësh.

I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.

Agim Kuqi kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa.

Por që Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën.

Policia kishte konfirmuar se Sekiraqa nuk ishte gjetur në dy lokacione në të cilat ishte kërkuar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e ka suspenduar gjyqtarin Agim Kuqi lidhur me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën.

Vendimi për suspendimin e gjyqtarit është marrë me shumicë të votave në KGJK.

17 vjet më parë, në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vjet burgim.

Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës, i nisur në vitin 2014, ka rezultuar me tri dënime të deritanishme.

Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vjet burgim, kurse me 30 vjet burgim në vitin 2019. E më 03.05.2024 u dënua me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.

Që nga shpallja e aktgjykimit për herë të tretë, Enver Sekiraqa ka ikur dhe është i paarritshëm për organet e rendit dhe të drejtësisë.

Për këtë arsye, Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të mësuar vendndodhjen e tij dhe për arrestimin e tij.

Detaje nga procesi maratonik lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar KËTU