Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

I kam thënë Zyrës së Prokurimit: Në kushte të barabarta tenderi t'u jepet kompanive të Skenderajt

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka folur për tenderët e shumtë që kompania e Rrustem Rukollit ka marrë në Komunën e Skenderajt.

Rrustem Rukolli është koordinator i mbrojtjes së Sami Lushtakut.

“Një pjesë e opinionit më pyesin shpesh e me thonë se “bizneset që i ka Rukolli janë të tuat”, por kjo nuk është e vërtetë. Ajo është një kompani e vjetër, që ka punu edhe në Austri”, tha Lushtaku.

“Unë mendoj që është një prej firmave ma serioze sesa plot kompani. Ai nuk është jurist, unë e kam shok dhe ai ka dashtë me m’ndihmu në mbrojtjen time. Tash është koordinator i mbrojtjes time. Çka ka të keqe këtu?”, tha Lushtaku në “Kallxo Pernime”.

“Prokurorja Marie Bamieh më ka pyetur se a i ke ndihmuar Rukollit sa ke qenë kryetar? Bukfalisht i kam thanë: po. Po të them edhe ty. I kam ndihmuar edhe firmës Rukolli dhe kompanive të tjera. Nuk ka qenë vetëm firma Rukolli gjatë kohës sa kam qenë kryetar, kanë qenë edhe 5 firma të tjera që kanë marrë punë në Skenderaj”, u shpreh ai.

 

Lushtaku tha se i kishte thënë Zyrës së Prokurimit që në raste kur kushtet janë të barabarta, tenderi duhet t’u jepet kompanive të Skenderajt.

“Në kushte të barabarta, gjithmonë kanë marrë tenderë firmat që kanë qenë të Skenderajt. I kam thanë Zyrës së Prokurimit që në kushte të barabarta me ua dhanë firmave të Kosovës”, tha Lushtaku.

Sipas tij, çdo kompani në Skenderaj ka dhanë donacione për PDK-në.

Organi Shqyrtues i Prokurimit në fund të vitit të kaluar ka marrë vendim që të diskualifikoj kompaninë “R&Rukolli” Sh.P.K. pas kërkesës së bërë nga autoriteti kontraktues- Komuna e Skënderajt.

Kompania ‘Rukolli’ futet në listën e zezë nga OShP