Foto: AFP/REL

I kafshoi veshin para se ta grabiste, arrestohet shqiptari në Itali

Një person me origjinë shqiptare në Itali, dyshohet se ka sulmuar një klient të një lokali në Trentino, e kishte grabitur dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur më 26 maj, kur i dyshuari me origjinë shqiptare kishte sulmuar një person duke e kafshuar në vesh dhe më pas i kishte grabitur atij një shumë prej 50 eurove.

Kështu e ka shpjeguar ngjarjen një media italiane duke dhënë detaje të tjera për rastin.

Sipas raportimit, grabitësi kishte kafshuar veshin e personit që gjendej në lokal, i kishte shtrënguar qafën, e kishte goditur me grusht në kokë e që më pas viktima kishte rënë në tokë pa ndjenja.

Duke parë ngjarjen kishin ndërhyrë edhe punëtorë të lokalit ndërsa i dyshuari ishte arratisur.

Policia italiane sipas mediumit menjëherë ishte angazhuar që të identifikonte dhe të vinte në pranga të dyshuarin.

Pasi ishte identifikuar autori i kryerjes së veprës penale, i njëjti ishte arrestuar dhe me urdhër të prokurorisë ishte dërguar në paraburgim.