I infektuari nga Zhegra e Gjilanit është shëruar plotësisht

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se i infektuari nga fshati Zhegër është shëruar plotësisht.

Madje, ky fshat, që ka qenë tash e një kohë i mbyllur, pritet të dalë nga karantina, ka njoftuar Komuna e Gjilanit.

“Në vetizolim jemi duke i mbajtur 11 qytetarë. Në ditët në vijim, fshati Zhegër do të lirohet nga karantinimi, sepse atje tashmë është shëruar plotësisht një pacient dhe të gjitha testet kanë dalë negative dhe nuk ka më asnjë të prekur, për çka edhe po kumtojmë këtë lajm të mire”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Komuna e Gjilanit ka njoftuar poashtu se me simptoma të lehta të virusit janë dhe dy qytetarë të Gjilanit që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, ndërsa 2 raste tjerë ta ardhura nga Zvicra vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë.

“Me simptoma të lehta janë edhe dy qytetarë që janë duke vazhduar trajtimin shëndetësor në Klinikën Infektive, derisa dy rastet që kanë ardhur nga Zvicra janë duke vazhduar karantinën sipas vendimeve në fuqi, por pa kontakte me familjet e tyre”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Deri më tash në Kosovë janë identifikuar 184 raste pozitive, kanë vdekur 5 persona si dhe janë shëruar 30 persona.