I infektuari me coronavirus është 67 vjeç nga Malisheva

Gjatë ditës së sotme Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se sot janë testuar 5 mostra të dyshimta me coronavirus.

Një person ka rezultuar të jetë i infektuar me virusin corona dhe i njëjti sipas IKSHP-së, është 67 vjeçar nga fshati Llashkadrenoc në Komunën e Malishevës.

Gjithashtu IKSHP ka bërë të ditur se nga data 08 shkurt deri me 20 mars pra sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 345 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e dy raste kanë rezultuar pozitive.

“Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.006 thirrje, ndërsa vetëm në 24  orët e fundit janë pranuar 339 thirrje telefonike”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

IKSHP ka dhënë detaje edhe për personat që kanë ardhur në Kosovë nga vendet e jashtme të prekura me coronavirus.

“Nga data 01.02.2020 deri me 20.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 15.246 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.025, Vërmicë 4.207, Jarinje 1.009, Dheu i Bardhë 891, Hani i Elezit 1.548, Kullë 884, Qafë Morinë 47, Bërnjak 440, Qafë Prush 35, Muçibabë 144 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë”, ka njoftuar IKSHP.