I iku Policisë, arrestohet pas 3 dite dhe i sekuestrohen armë e municion

Një pushkë përsëritëse, një pushkë gjuetie, 23 fishek të kalibrit të panjohur dhe një thikë me teh të gjatë 15 centimetra, janë kapur nga Policia e Kosovës në Prizren, nga i dyshuari D.Z., i lindur më 1959. Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari D.Z në fund të muajit korrik ishte ndaluar nga Policia për kontroll, pasi dyshohej se kishte vrarë një kafshë në fshatin Mushnikovë të Prizrenit. Porse, i dyshuari në momentin që ishte ndaluar nga Policia, kishte dal nga vetura me vrull dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

Policia ka vijuar hetimin e rastit në rrugët operativo-hetimore dhe ka identifikuar të dyshuarin.

“Policia e Kosovës gjatë ditës se djeshme ka arritur të identifikojë të dyshuarin D.Z nga komuna e Prizrenit, i cili në bazë të disa informatave të mbledhura posedonte armë. Te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: një pushkë përsëritëse nr. serik … ,një pushkë gjuetie nr. serik …., 23 fishek të kalibrit të panjohur, një thikë me teh 15 cm, të cilat i kishte në posedim, pa leje’’, thuhet në komunikatën për media të Policisë.

Pas rastit, është konsultuar Prokurori i Shtetit për krime të rënda, nga i cili është rekomanduar vazhdimi i rastit në procedurë të rregullt.