Qendra për të moshuar Orenda. Foto: KALLXO.com

I hiqet licenca Qendrës së të Moshuarve 'Orenda'

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka marrë vendim për të ia hequr licencën e punës, Qendrës së të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

Ministria e Financave përmes një njoftimi, ka bërë të ditur që pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në atë vend, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë menjëherë inspektimin të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Në njoftim thuhet se raporti i këtij inspektimi është dorëzuar sot në Komisionin Licencues, i cili ka vendosur që subjektit “Orenda” t’i hiqet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

“Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.” – thuhet tutje në njoftimin e ministrisë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për rastin e ushtrimit të dhunës nga një infermiere ndaj të moshuarës.

Ky rast u bë i ditur pas publikimit të një videoje në rrjetin social Facebook, në të cilën shihet një infermiere duke e sulmuar të moshuarën, dhe disa të tjera që qeshin dhe nuk reagojnë.

Pas arrestimit të tyre, Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për A.P., A.R., dhe R.K., të përfshira në këtë rast.

KALLXO.com ka raportuar se ankesa në lidhje me sjelljet e infermiereve të qendrës për përkujdesje për të moshuar “Orenda”, ka pasur edhe para një viti.

Ankesa për sjelljen e infermiereve në qendrën e të moshuarve në Pejë ishin dërguar në dy ministri në vitin 2021

Të enjten, Oda e Infermierëve të Kosovës njoftoi se ka marrë vendim që katër infermiereve të cilat ishin përfshirë në këtë rast të iu hiqet licenca dhe të fshihen nga lista e anëtarësisë.

Rrahja e të moshuarës, Oda e Infermierëve anuloi licencat dhe fshinë nga anëtarësia katër infermieret

Arrestime për rrahjen e të moshuarës në Pejë