I gjenden në çantë mbi 42 mijë euro të padeklaruara një 49-vjeçari në Rinas

Policia kufitare në Rinas gjatë kontrollit të detajuar të bagazhit të një 49-vjeçari nga Tirana ka gjetur dhe sekuestruar 42 mijë e 300 euro të cilat nuk i kishte deklaruar.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të shtuara, në dalje kanë kaluar për kontroll të detajuar bagazhet e shtetasit J. M., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të bagazheve të këtij shtetasi janë gjetur  dhe sekuestruar 42,300 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore”- thuhet në njoftim.

Sipas Policisë së Shtetit, 49-vjeçari, po hetohet për “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.  Për hetime të mëteshme rasti i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës.

Tutje, Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë kontrolleve të dokumentacionit që paraqesin shtetasit në këtë pikë-kalim kufitar, janë evidentuar tre raste të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. T., H. B., dhe E. N., për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.  Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”- thuhet më tej në njoftim.