I ftuari nga Specialja dëshmoi në gjykimin për krime lufte ndaj shqiptarëve

Në vazhdën e ftestave për intervistim nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, sot është ftuar edhe  Agron Limani.

Ish- ushtari i UÇK-së ka njoftuar për ftesën duke shprehur zhgënjim të madh ndaj gjykatës që sipas tij do të bëjë gjykim etnik ndaj shqiptarëve.

Limani ishte njëri nga dëshmitarët në gjykimin e të akuzuarit, Darko Tasiq, për krime lufte të kryera në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Ai kishte dëshmuar për kohën kur ishte në fshatrat e anës së Prizrenit.

Për të akuzuarin, dëshmitari tha se “Darkon e kam parë me uniformë disa herë, edhe me uniformë të Policisë ”.

“Duke e parë situatën e krijuar, unë se bashku me 5 persona tjerë u larguam nga mali dhe nga fshati dhe ne na u imponua që të jemi pjesëtarë të UÇK-së duke e parë situatën e krijuar në fshat”, shtoi ai.

Limani kishte thënë se më nuk është kthyer në fshat deri pas përfundimit të luftës, dikur pas datës 20 qershor 1999.

Ai kishte theksuar faktin se i njëjti është bashkautor i një libri të quajtur ”Fshati i vrarë”, libër në të cilin janë të rrëfyera faktet nga dëshmitarët se çka kanë parë dhe përjetuar gjatë asaj kohe në Krushë të Vogël.

Këto dëshmi tha se kishte filluar t’i mblidhte menjëherë me të përfunduar lufta.

Sipas dëshmitarit Agron Limani, në këtë libër janë rrëfimet e personave të cilët e kanë parë këtu edhe të akuzuarin Darko Tasiq.

Sipas dëshmitarit Agron Limani, gjatë mbledhjes së dëshmive, tashmë i ndjeri Sylejman Çollaku, i kishte rrëfyer edhe EULEX-it, se e ka parë Kekën (Sreçka Tasiqin, babai i Darko Tasiq), së bashku me dy djemtë e tij – Darkon dhe Svetën, bashkë me disa persona të tjerë kur e kanë sjellë kamionin me kufoma te lumi Drin, dhe i kanë vënë flakën kamionit me kufoma.

Sipas dëshmitarit të njëjtin kamion më vonë pas lufte Kasum Hajdari e ka tërhequr nga lumi Drin.

Sa i përket të vrarëve, dëshmitari Agron Limani theksoi se nga dëshmitë e mbledhura  pas lufte, ka të dhëna se në Krushë të Vogël janë gjithsej 113 të vdekur, civilë shqiptarë, duke filluar nga mosha 13 vjeçare, deri në moshën 78 vjeç, të gjithë meshkuj, pra rreth 70% e meshkujve të fshatit të vrarë.  Sipas dëshmitarit kanë mbetur 82 gra të veja dhe 145 fëmijë bonjakë dhe të gjitha objektet e banimit të djegura dhe të shkatërruara, ndërsa të gjitha gjësendet e vjedhura sipas dëshmitarit janë gjetur në shtëpitë e banorëve serbë.

Në një raportim tjetër të BIRN, ai kishtë rrëfyer edhe të vrarit e famijës së tij.

Babai, vëllezërit dhe axha i tij u vranë së bashku me 109 persona të tjerë të fshtit Kurushë e Vogël të Prizrenit.

Sot, 20 vjet pas përfundimit të luftës, vetë Agron Limani njoftoi që është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Pasi  është bërë e zakonshme të bëhen publike njoftimet e tilla,  edhe unë dua të njoftoj se kam pranuar  ftesë nga  Gjykata Speciale për tu intervistuar. Pra, kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila  ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës. Pasi vijë nga një vend ku forcat serbe pothuajse  deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë  kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo  gjykatë   do të organizoj  kryekëput  gjykime kundër shqiptarëve”, ka njoftuar Limani.

Ky është njoftimi i plotë i Agron Limani:

Pasi  është bërë e zakonshme të bëhen publike njoftimet e tilla,  edhe unë dua të njoftoj se kam pranuar  ftesë nga  Gjykata Speciale për tu intervistuar. Pra, kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila  ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës. Pasi vijë nga një vend ku forcat serbe pothuajse  deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë  kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo  gjykatë   do të organizoj  kryekëput  gjykime kundër shqiptarëve.

Me këtë rast,  dua të falenderoj  të gjithë ata, të cilët nocionit drejtësi, i humbën  çdo  vlerë, e sollën në një gjendje të tillë,  e cila do tu shërbente si alibi ” miqëve” të Kosovës për të formuar një gjykatë të tillë një etnike, në të cilën  nuk do të gjykohet asnje serb, pavarësisht krimeve të bëra në vendin tonë.

Indiferenca shumëvjeqare e institucioneve tona karshi krimeve serbe, ka shërbyer si motiv i mjaftueshëm  për formimin e kësaj gjykate diskriminuese kundërshqiptare.

Gjate 20 viteve, Serbia në vazhdimësi fabrikoi gënjeshtra, kurse organet tona nuk arritën të dokumentonin  krimet e luftës. Heshtja institucionale (vendore dhe ndërkombëtare) ishte mënyra më e mirë për mbulimin e krimeve serbe. Prandaj jo rastësisht serbët nga kriminel u kthyen në viktima.

Bartësit e institucioneve tona, në vend që të formonin organe kompetente për të mbledhur fakte dhe dëshmi për krimet serbe, ata kryesisht u morën me pasurimin e tyre.

Maksima ”ra kau shpëtoi shkau”  i përgjigjet më së miri sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve tona.

Klasa jonë politike temën e krimeve serbe e aktualizonte sa herë kur  kjo i shërbente për interes personal apo grupor, por asnjëherë nuk e trajtuan me seriozitetin e domosdoshëm institucional, trajtim i cili do tu sillte drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre.

Historia më e re e Kosovës padyshim se  do të shënojë në analet e saj një fenomen, me gjasë  të paparë  më parë , fenomenin sesi indifrenca e viktimës ndikon në  shfajsimin gradual të   kriminelit dhe me këtë suksesshëm bënë  ndrrimin e  pozicioneve mes  viktimës  dhe kriminelit.

Nuk do të ndjehesha mirë, nëse në fund të këtij njoftimi nuk do të falenderoja ata të cilët e kurorëzuan  këtë gjykatë, deputet e Republikës së Kosovës dhe sponzorizuesit e tyre. Emrat e tyre  padyshim do të skaliten  me shkronja të ”arta” në analet e historisë dhe drejtësisë së Kosovës.
Me respekt,

Agron Limani

ZONA OPERATIVE E PASHTRIKUT BRIG. 124’’GANI PAQARIZI’’