Foto: KALLXO.com

I ftohti në gjykatë shtyn seancën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve për rastin e 53-milionëshit

Në Gjykatën e Prishtinës sot ishte paraparë që tërë ditën të dëgjohen dëshmitarët për rastin e njohur si 53-milionëshi, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë.

Mirëpo edhe pse raste si këto duhet të trajtohen me prioritet nga gjykata, kushtet në Pallatin e Drejtësisë nuk e mundësuan këtë.

Seanca filloi ashtu siç ishte paraparë, mirëpo pas 1 orë e 30 minuta, gjyqtarja e rastit, Violeta Namani, u detyrua që të shtyjë seancën për një datë tjetër për shkak të temperaturave të ulëta në sallën e gjykimit.

“Seanca e sotme nuk mund të vazhdojë për shkak të temperaturave të ulëta në sallë” – tha gjyqtarja Violeta Namani në seancë.

Gjatë kohës sa u mbajt seanca, Prokuroria filloi të marrë në pyetje dëshmitarin Ramë Qupeva, i cili punon në Ministrinë e Infrastrukturës si drejtor i departamentit për infrastrukturë rrugore.

Dëshmitari deklaroi se për rastin në fjalë, ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani Elezit, ka qenë menaxher i njësisë për implementimin e projektit.

Sipas dëshmitarit, është krijuar edhe komiteti ndërministror si autoritet me kompetenca për hartimin e strategjive për veprimet që do të ndërmerren për ndërtimin e autostradës.

Në pyetjen e prokurorit se a kanë marrë pjesë, pjesëtarët  e njësisë në mbledhjet e komitetit, dëshmitari deklaroi se saherë kanë pranuar ftesë kanë qenë prezent, mirëpo sipas tij nuk është e domosdoshme prezenca  e tyre në ato takime.

“Njësia ka marrë pjesë në takime por jo gjithmonë, kur kemi marrë ftesë kemi shku kur nuk kemi marrë ftesë s’kemi shku, këtë e ka vlerësu komiteti, prezenca jonë nuk ka qenë e domosdoshme” – tha dëshmitari Ramë Qupeva.

Intervistimi i këtij dëshmitari mbeti në gjysmë për arsye të të ftohtit në sallën e gjykimit.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje të kësaj shume e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.

Pallati i Drejtësisë ka pasur vazhdimisht probleme me ventilim e ajrosje. Në fillim të këtij muuaji, objektit shumëmilionësh të Pallatit të Drejtësisë filluan t’i vendosen dritaret. Xhamat statikë të cilët ishin vendosur në kohën e ndërtimit të tij, nisën të zëvendësohen me dritare.

Vendosja e këtyre dritareve fillimisht nisi të bëhet në objektin A, ku është e vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Prishtinës.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me problemet e vazhdueshme me ajrosje dhe ventilim sidomos gjatë stinës së verës, kur edhe punëtorët janë ankuar për temperaturat e larta brenda objektit.

Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar se brenda 10 ditëve, tre punëtorë të Prokurorisë ishin alivanosur.

Për shkak të këtyre problemeve, ishin mbajtur edhe protesta në Pallatin e Drejtësisë. Në atë kohë, kryetari i Këshillit Organizativ, Burim Neziri, kishte thënë që punëtorët po përballen me temperatura deri në 35 gradë Celsius, për shkak të mosfunksionimit të klimatizimit. Ndër kërkesat e punëtorëve kishte qenë edhe hapja e dritareve në këtë objekt me xhama statikë. Protestat fillimisht ishin 2-orëshe por kishte paralajmërime edhe për grevë.

Guri i themelit të Pallatit të Drejtësisë ishte vendosur në vitin 2011. Ky objekt që ka kushtuar rreth 30 milionë euro ishte përfunduar në vitin 2014, për t’u funksionalizuar në vitin 2015. Në këtë objekt që është financim i Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, të vendosur janë Gjykata dhe Prokuroria e Prishtinës, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.