Parat e sekuestruara

I dyshuari që posedonte 600 mijë euro kesh i deklaroi vetëm 600 euro në bankë

Drejtori i pagesave direkte në Agjencionin e Zhvillimit të Bujqësisë. Luan Statovci i cili dyshohet se kishte rreth 600 mijë euro kesh i kishte të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsion vetëm 600 euro.

Statovci sipas dosjes së Prokurorisë në rastin “Subvencionet” ishte dëgjuar duke thënë se ka në posedim shumën e parave në vlerë rreth 600 mijë euro.

Një pjesë e këtyre parave sipas prokurorisë ishin gjetur në shtëpinë e vëllait të tij Salih Statovcit në Batllavë të Podujevës.

Atje ishin sekuestruar 406 mijë euro dhe mjete të tjera në valuta të ndryshme.

Statovci në Agjencinë Kundër Korrupsion kishte deklaruar se kishte para të gatshme në bankë vetëm 594 euro.

Përpos parave të gatshme Statovci kishte deklaruar se së bashku më familjen e tij kanë mbi 12 mijë euro borxhe ndaj bankave në Kosovë. Ai ka deklaruar se posedon edhe dy shtëpi në vlerë 300 mijë euro dhe një tokë.

Luan Statovci është personi më i përmendur në dosjen e Prokurorisë, madje në zyrën e tij ishin vendosur përgjues të cilët  janë shfrytëzuar për mbledhjen e provave.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se në zyrën e tij përpos që është diskutuar për marrjen e ryshfetit nga aplikuesi V.K, janë thurur edhe plane për të marrë ryshfet gjatë vitit 2021.

Madje sipas Prokurorisë të dyshuarit Berat Nika dhe Hasan Maxharraj janë dëgjuar tek bëjnë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25 mijë eurove për aplikues.

Përpos Luan dhe Salih Statovcit të arrestuar deri më tani janë edhe zyrtari i pagesave direkte, Sadat Shkodra, zyrtari për zhvillimin e bujqësisë në Istog, Hasan Maxharraj, zyrtari i pagesave në AZHB Berat Nika, zyrtari për politika në Istog Kushtrim Zogaj dhe inspektorja e AZHB-së Adushe Ukshini.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të fuqishme në këtë rast duke përfshirë  fotografi dhe incizime të momenteve të dorëzimit të parave.

Pos tjerash, Prokuroria pretendon se ka arritur të sigurojë prova ku shihet se Adushe Ukshini e cila është inspektore në AZHB ka pranuar shuma të ndryshme si ryshfet dhe të njëjtat shihet duke ia dërguar drejtorit Luan Statovci dhe duke i ndarë mes vete.

Aktualisht njëmbëdhjetë të arrestuarit e këtij rasti janë paraqitur para gjykatës dhe po përballën me kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Dy ditë më parë ata u arrestuan gjatë një aksioni të madh policor në disa lokacione duke përfshirë edhe Ministrinë e Bujqësisë.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Bastisje të mëdha u zhvilluan edhe gjatë ditës së djeshme në disa qytete të Kosovës ku cak ishin bujq të ndryshëm të cilët kishin përfituar subvencione.

Gjatë këtij aksioni u arrestuan edhe nëntë persona.

Prokuroria: Të dyshuarit për ryshfet me subvencione e mashtruan edhe njëri tjetrin