I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë ishte dënuar në shtator me gjobë për armëmbajtje pa leje
S.H., i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së më saktësisht në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë, është dënuar në shtator të këtij viti me gjobë për armëmbajtje pa leje.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari, me datë 23 shtator të këtij viti është shpallur fajtor për mbajtje në pronësi të armës pa leje dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë.
Vepra penale e armëmbajtjes pa leje është e dënueshme deri në 5 vjet burgim, e cila mund të konvertohet edhe me gjobë maksimalisht deri në 7 mijë e 500 euro.
Tutje sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, një tjetër rast i evidentuar për të dyshuarin S.H., është edhe ai i dhunës në familje, i cili ishte raportuar në korrik të këtij viti në polici.
Me datë 10 gusht të këtij viti, Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzën për të dyshuarin për veprën penale të kanosjes më saktësisht neni 181 i Kodit Penal i lidhur me paragrafin 4 të këtij neni i cili thotë se “Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.
Sipas përgjigjeve të Gjykatës në Ferizaj, i pandehuri në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 shtator nuk e kishte pranuar fajësinë në lidhje me veprën për të cilën ishte ngritur aktakuza.
“Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Ferizaj për KALLXO.com.
Tutje të njëjtit kanë njoftuar se me datë 8 shtator 2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës për viktimën.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022”- thuhet tutje në përgjigjet e Gjykatës.
Ky aktvendim i është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira siç janë – mbrojtësit të të akuzuarit, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan, i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.
Një grua shtatzënë është vrarë mbrëmë në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili pasi kreu krimin është larguar në drejtim të panjohur.
Tri gëzhoja janë gjetur në vendin ku është kryer krimi.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori i rastit, Ilaz Beqiri.
Tutje ai shtoi se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur provat e duhura për ta trajtuar rastin që ndodhi në orët e mbrëmjes në oborrin e QKUK-së, më saktësisht para hyrjes së Klinikës së Gjinekologjisë.
Policia ka arritur që të identifikojë të dyshuarin dhe është në kërkim të të njëjtit pasi që dyshohet se burri pasi kreu aktin, është larguar nga vendi i ngjarjes.