I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë, ende në arrati
I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë 35-vjeçare në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, është ende në arrati.
Policia ka njoftuar se nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur.
Gruaja e cila ishte shtatzënë është vrarë në oborrin e QKUK-së më saktësisht para Klinikës së Gjinekologjisë të mërkurën rreth orës 18:00.
Sipas raportit të Policisë, viktima është qëlluar me armë zjarri nga një peron i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”-ka njoftuar Policia.
Autor për vrasjen e gruas 35-vjeçare po dyshohet se është bashkëshorti i saj.
KALLXO.com ka rapoortuar se personi i dyshuar kishte aktakuzë për kanosje, e cila është ngritur më 10 gusht të këtij viti në Gjykatën e Ferizajt.
Viktima në korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici një rast të dhunës në familje. Autori ishte pikërisht i dyshuari të cilin Policia po e kërkon për rastin makabër të kryer në oborrin e QKUK-së.
Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Basri Shabani.
Shabani tha se rasti është trajtuar dhe lënda është dërguar në prokurori. Derisa, për viktimën ai theksoi se nuk ka pranuar të shkojë në strehimore.
”Në muajin e shtatë të këtij viti kemi pasur të raportuar një rast të dhunës në familje. Ky është rasti i vetëm që e kemi për këtë ngjarje në Ferizaj. Rastin e kemi trajtuar dhe është dërguar në prokurori lënda. Viktima nuk ka pranuar që të shkojë në strehimore dhe me dëshirën e saj ajo është dërguar te familjarët e saj në një komunë tjetër”- ka thënë Shabani.
Tutje, Basri Shabani tha se Policia e Rajonit të Ferizajt nuk ka pasur asnjë vendim për urdhër mbrojtje për viktimën.
“Të paktën ne në Ferizaj sepse menjëherë i pyeta edhe hetuesit e rastit, nuk kemi pasur ndonjë vendim për urdhër mbrojtje, të paktën jo që është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj” – tha tutje Shabani.
Ndërkohë është mbledhur grupi i ngushtë ndërministror pas vrasjes së rëndë të gruas.