
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
I dyshuari për vjedhjen e veturës së ministrit Liburn Aliu në duart e Policisë së Shqipërisë
Mbrëmë rreth orës 22:30 dyshohet se është vjedhur vetura zyrtare e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
KALLXO.com mëson se personi i dyshuar për vjedhjen e veturës është arrestuar dhe është në ndalim nga Policia e Shtetit në Shqipëri.
Siç mëson KALLXO.com, vetura ngjyrë e zezë, me targa zyrtare, ka qenë e parkuar në parkingun e Ministrisë së Mjedisit.
Vjedhja e veturës është raportuar në polici mëngjesin e sotëm rreth orës 8:50 apo gati 10 orë pas kohës kur dyshohet se është vjedhur.
Sipas një dokumenti që ka siguruar KALLXO.com, ankuesi pretendon se mbrëmë nga ora 22:30 deri në orën 22:45, ministri Aliu kishte parkuar veturën e tij në parkingun e Ministrisë.
Ndërsa në orën e hershme të mëngjesit, rreth orës 4:30 është telefonuar përgjegjësi për veturat e kësaj Ministrie, inicialet e të cilit janë B.C.
Telefonata për përgjegjësin ishte nga zyrtarë policorë në pikën kufitare me Shqipërinë, në Qafë Morinë. Ai ishte njoftuar se vetura zyrtare e ministrit Aliu është ndaluar pasi që kanë dyshuar te vozitësi.
Rasti i vjedhjes është duke u trajtuar nga Policia e Shqipërisë pasi që vetura dhe i dyshuari janë ndaluar atje.
Policia jep detaje për vjedhjen e veturës zyrtare të ministrit Liburn Aliu