Foto: Salman Rushdie/ Facebook

I dyshuari për sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie nuk e pranon fajësinë

I dyshuari për sulmin ndaj Salman Rushdie nuk e ka pranuar fajësinë për tentativën për vrasje dhe sulm në një sallë gjyqi në New York. 

24-vjeçari Hadi Matar akuzohet se theri me thikë Rushdie, autorin e famshëm të ‘Midnight’s Children’, në një konferencë të premten në Chautauqua të New Yorkut.

I arrestuar menjëherë pas incidentit, i dyshuari tashmë ishte deklaruar i pafajshëm në një seancë procedurale të shtunën.

I maskuar, i lidhur me pranga dhe i veshur me një uniformë burgu, Matar foli të enjten përmes avokatit të tij.

Ai përballet me 25 vjet burg për tentativë vrasje dhe deri në shtatë vjet për sulm. Gjykatësi zgjodhi ta mbajë në paraburgim pa mundësinë e lirimit me kusht. Në seancën e mëparshme prokurorët e kishin quajtur sulmin të paramenduar.

Avokati i tij Nathaniel Barone theksoi të enjten se klienti i tij kishte të drejtën për një “gjykim të drejtë” dhe respekt për “prezumimin e pafajësisë”.

Matar ‘i befasuar’ se Rushdie i ka mbijetuar sulmit

I intervistuar të mërkurën nga New York Post, e cila pretendon se e ka kontaktuar atë në burg, Hadi Matar tha se ishte “i befasuar” që Salman Rushdie i mbijetoi sulmit.

Autori 75-vjeçar britanik, i cili u godit me thikë rreth dhjetë herë në qafë dhe bark dhe u evakuua me helikopter në spital, u vendos për një kohë të shkurtër në një respirator përpara se gjendja e tij të përmirësohej.

Matar nuk është deklaruar nëse kishte qenë frymëzuar nga urdhri i lëshuar nga Ajatollah Khomeini në vitin 1989 nga Irani, duke bërë thirrje për vdekjen e shkrimtarit, libri i tij ‘Vargjet Satanike’ u konsiderua blasfemi nga udhëheqësi suprem iranian.

Ai sapo shpjegoi për New York Post se kishte “vlerësim për Ajatollahin”, i cili është “një person i shquar”.

Sa për Rushdie, Matar tha se ai nuk ishte “një njeri i mirë”. “Nuk më pëlqen ky person”, tha ai.

Matar do të paraqitet sërish në gjykatë më 7 shtator./Euronews