I dyshuari për sulm të policit në Pejë, kërkohet edhe për fajde

Mbrëmë KALLXO.com ka raportuar për një qytetar i cili dyshohet se ka goditur me veturë një polic gjatë një operacioni të Njësive Speciale në afërsi të Radavcit, në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari është në kërkim nga ana e policisë edhe për përfshirje në fajde, përveç sulmit ndaj personit zyrtar dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Policia ka njoftuar se mbrëmë në fshatin Vitomiricë në Pejë, gjatë veprimeve hetimore, policia në terren kanë operuar me qëllim të sigurimit të provave materiale për arrestimin e një të dyshuari.

“I dyshuari me automjetin e tij u nis vrullshëm në drejtim të dy zyrtarëve policor dhe e godet me automjet njërin prej zyrtarëve policor duke i shkaktuar lëndime trupore. Zyrtarit i është ofruar tretman mjekësor”, njofton policia.

Policia ka bërë bastisjen e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një pushkë e gjuetisë, 15 copë fishekë dhe një karikator i zbrazët.

Policia është në kërkim të personit të dyshuar i cili gjendet në arrati dhe në konsultim me prokurorin rasti është iniciuar.

Incidenti në Pejë, Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për gjetjen e të dyshuarit