Prokuroria e Gjilanit

I dyshuari për goditjen e këmbësorit në Gjilan po hetohet për 'Rrezikim të trafikut publik'

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se i dyshuari E.O. për shkaktimin e aksidentit me fatalitet në Gjilan, është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Ky aksident la të vdekur këmbësorin Sh.S. dje (15.08.2024) rreth orës 20:00.

“Dyshohet se i pandehuri E.O., më 15 Gusht 2024, rreth orës 20:00, në Gjilan, ka shkaktuar aksident trafiku me fatalitet, në atë mënyrë që gjatë drejtimit të automjetit të tij, duke mos respektuar këmbësorin – tani të ndjerin Sh.S., i cili ka qenë duke trupuar rrugën në vendkalimin e këmbësorëve, me pjesën e parë të automjetit e ka goditur të njëjtin” – thotë Prokuroria përmes një komunikate.

Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar fillimisht në Spitalin e Gjilanit, e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe ka vdekur.