I dyshuar për sulm ndaj policëve, Nuredin Lushtaku lirohet nga paraburgimi

Nuredin Lushtaku ka konfirmuar për KALLXO.com se është liruar para pak minutash nga paraburgimi.

Lushtaku tha që momentalisht është duke shkuar në shtëpi.

Tutje, ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt theksoi se nuk është në dijeni nësë ka ndonjë kërkesë të Prokurorisë për kthimin e tij në paraburgim.

Nuredin Lushtaku ishte në paraburgim që nga data 4 korrik.

Paraburgimin e tij dhe të dy familjarëve të tij e kishte kërkuar Prokuroria e Mitrovicës pas dyshimeve se ata kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të cilët ishin në detyrë.

Ngjarja kishte ndodhur më 2 korrik rreth orës 23:45 në Skenderaj.

Sipas Prokurorisë, dy zyrtarët policorë të stacionit të Skenderajt ishin sulmuar derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

Gjatë incidentit, sipas Prokurorisë, dy zyrtarët policorë kishin pësuar lëndime. Njëri prej tyre ishte qëlluar me armë në këmbë.